Një person ka humbur jetën dhe dy të tjerë rezultojnë të zhdukur pasi një varkë me 19 persona në bord u fundos në Gjirin e San Franciskos, njoftuan autoritetet lokale. Shërbimet e emergjencës u njoftuan rreth orës 15:35 me kohën lokale për një varkë që ishte përfshirë nga zjarri, rreth 550 metra larg ishullit Alcatraz. Sipas shefit të Departamentit të Zjarrfikësve të San Franciskos, Dean Crispen, kur ekipet e shpëtimit mbërritën në vendngjarje, e gjetën mjetin lundrues të përmbysur, ndërsa motori vazhdonte të punonte.
Pamjet e publikuara nga vendi i ngjarjes tregojnë disa anije shpëtimi që ndihmojnë pasagjerët të dalin nga uji. “Një pasagjer u nxor i gjallë, por më vonë ndërroi jetë, ndërsa edhe një qen humbi jetën. Dy persona të tjerë rezultojnë ende të zhdukur”, tha Crispen. Operacioni i kërkim-shpëtimit vijoi deri të martën në mbrëmje, me pjesëmarrjen e zhytësve, helikopterëve dhe 11 anijeve. Autoritetet po vijojnë kërkimet për gjetjen e dy personave të zhdukur.
Disa nga pasagjerët pësuan dëmtime pasi ranë në ujë, por sipas zjarrfikësve plagët e tyre nuk janë serioze. Të gjithë të mbijetuarit u transportuan në Gashouse Cove Marina, një port për varka të vogla në San Francisko, ndërsa tre persona të plagosur u dërguan në spital.
Kapiteni i anijes Bass-Tub, Aaron Anfinson, i cili ndodhej pranë zonës, i tha gazetës lokale San Francisco Chronicle se po lundronte drejt Urës Golden Gate kur një person i kërkoi të ndalonte dhe i tregoi një varkë në mes të gjirit që dukej sikur po digjej. Sipas tij, kur mbërritën në vendngjarje, flakët ishin shuar dhe varka kishte nisur të fundosej.
“Pamë shumë njerëz në ujë dhe po u hidhnim jelekë shpëtimi për t’i mbajtur mbi sipërfaqe”, tha Anfinson. Ai tregoi se një grua kishte pësuar një dëmtim në kokë dhe se situata ishte jashtëzakonisht e rëndë. “Ishte tmerruese. Nuk dua të shoh më kurrë askënd në atë situatë”, u shpreh kapiteni.
Autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur nëse varka ishte nisur drejt ishullit Alcatraz, po largohej prej tij apo ndodhej në atë zonë për një arsye tjetër. Gjiri i San Franciskos njihet për ujërat e ftohta edhe gjatë muajve të verës, çka e bën më të vështirë mbijetesën për personat që bien në ujë për periudha të gjata.



