Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski sot vlerësoi se interpelanca e paraqitur për punën e tij nga BDI-ja opozitare është “përpjekje e ulët për të manipuluar opinionin”, duke theksuar se Kuvendi do të veprojë ashtu siç vlerëson.
Në pyetjen e gazetarëve, Toshkovski tha se tezat të cilat janë parashtruar në periudhën e kaluar nga ana e opozitës, e veçanërisht nga BDI, janë në vetvete kontradiktore.
“Qytetari dhe populli i Maqedonisë së Veriut e di shumë mirë se çfarë qëndron pas kësaj interpelance nga aspekti i kërkesës së tyre. Paçin fat. Kuvendi do të veprojë në drejtim të asaj që vlerëson. Sinqerisht mendoj se kjo është një përpjekje e ulët për të manipuluar opinionin”, tha ministri Toshkovski pas takimit me ministrin e Sigurisë së Bosnjë e Hercegovinës, Nenad Neshiq.
Grupi Parlamentar i Frontit Evropian, dje ka dorëzuar interpelancë për ministrin Toshkovski dhe zëvendësin e tij Astrit Iseni, të cilët, siç thonë, janë kryesisht përgjegjës për incidentet në ditën e flamurit shqiptar.
Koordinatori i Grupit Parlamentar të BDI-së, Blerim Bexheti, në një konferencë për shtyp tha se Toshkovski dhe Iseni, në ditën e festës së flamurit shqiptar, si persona përgjegjës kanë urdhëruar policinë që të ndërhyjë në mënyrë të paparë dhe të pajustifikuar, duke penguar një manifestim të qetë dhe tradicional të shqiptarëve.
“Kjo ndërhyrje ka shkaktuar tensione të panevojshme dhe e minoi atmosferën e qetë dhe të bashkëjetesës ndëretnike. Policia në vend që të ruante rendin publik dhe t’i respektonte të drejtat e qytetarëve për të festuar këtë ditë, inkurajoi konfrontime dhe përshkallëzim të tensioneve. Ky keqmenaxhim i situatës ka ndodhur për shkak të paaftësisë dhe joprofesionalizmit të ministrit të Punëve të Brendshme dhe zëvendësit të tij”, tha Bexheti.
BDI ka dorëzuar interpelancë për zëvendëskryeministrat Izet Mexhiti dhe Ivan Stoilkoviq dhe ka dorëzuar kërkesë në seancën e radhës të Kuvendit që në rend dite të vendoset informacioni për gjendjen e sigurisë në vend.