Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski vlerëson se interpelanca të cilën për të e parashtroi Levica, ndërsa është në rend dite në mbledhjen e sotme të Kuvendit, është përpjekje e lirë politike që të pengohet procesi i pastrimit të krimit dhe korrupsionit. Me të, thotë ai, Levica edhe një herë ka treguar se, me vetëdije ose pa vetëdije, po bëhet aleati më i dobishëm i LSDM-së dhe BDI-së.
“Levica e paralajmëroi interpelancën e tretë kundër meje për më pak se dy vjet. Si edhe dy të parat edhe kjo përsëri ishte paralajmëruar përmes një konference për media, më shumë me paraqitje të lirë politike se sa me argumente thelbësore”, shkroi në profilin e tij në Fejsbuk Toshkovski pas paralajmërimit të interpelancës nga ana e Levicës.
Sipas ministrit Toshkovski, interpelanca është e drejtë demokratike e opozitës dhe, siç thotë, ai këtë të drejtë e respekton në tërësi.
“As nuk kam ikur dhe as nuk do të iki nga debati. Përkundrazi, do t’i përballoj argumentet aty ku duhet të jenë, në Kuvend, publikisht, para të gjithë deputetëve dhe para qytetarëve. Atje, të gjithë do të kenë mundësinë të thonë atë që mendojnë, ndërsa vendimin do ta marrin përfaqësuesit e zgjedhur të popullit, sipas ndërgjegjes dhe përgjegjësisë së tyre. Por, në të njëjtën kohë, nuk mund të hesht për diçka që prej kohësh u është bërë e qartë qytetarëve. Levica ka treguar edhe një herë se, me vetëdije apo pa vetëdije, po bëhet aleati më i dobishëm i LSDM-së dhe BDI-së. Të njëjtat parti kundër të cilave kanë ndërtuar një imazh të një alternative dhe kanë premtuar një politikë të ndryshme, sot praktikisht i mbrojnë ato përmes sulmeve ndaj kujtdo që përpiqet të vendosë rend, përgjegjësi dhe funksionimin e sistemit”, shkroi Toshkovski në atë kohë.
Siç theksoi, është lehtë nga ulësja opozitare të shkruhen interpelanca dhe të mbahen konferenca për media, por më e vështirë është të udhëhiqet institucion, të merret përgjegjësi, të merren vendime dhe të mbrohet siguria e qytetarëve.
“Njerëz që nuk kanë drejtuar kurrë një institucion, nuk kanë menaxhuar kurrë një buxhet dhe nuk kanë marrë kurrë përgjegjësi të vërteta, sot po japin mësime se si të drejtohet Ministria e Punëve të Brendshme. E vërteta është se Levica ka arritur maksimumin e saj politik pa lënë pas asnjë rezultat konkret, asnjë reformë të zbatuar, asnjë çështje të zgjidhur. Dhe tani, kur qytetarët e njohin gjithnjë e më qartë fytyrën e tyre të vërtetë politike dhe kur mbështetja e tyre po fillon të bjerë, e vetmja gjë që u mbetet është përballja agresive politike dhe krijimi i krizave artificiale”, qëndronte në postimin e Toshkovskit në rrjetet sociale.
Sipas tij, kjo interpelancë e tretë nuk është shprehje e kujdesit për shtetin, por përpjekje e lirë politike që të pengohet procesi i pastrimit të krimit, korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë të cilën e praktikuan partnerët e tyre të sotëm, sepse, siç theksoi, kur sistemi përfundimisht fillon të funksionojë, më së shumti shqetësohen pikërisht ata që me vite të tëra përfitonin nga mosfunksionimi i tij.
“Nuk sulmohet ai që është i parëndësishëm, sulmohet ai që ndryshon diçka. Unë do të vazhdoj të punoj, do të vazhdoj të luftoj me argumente dhe me rezultate. Ndërsa gjykimin përfundimtar, do ta japin qytetarët”, shkroi Toshkovski në lidhje me interpelancën.


