
Alsat 2019-07-05T15:49:24+02:00
Njëri pranë tjetrit, në sallën tepër të ngushtë të gjykatës dhe para syve kureshtar të gazetarëve sot dëshmuan gazetarja Olivera Trajkovska dhe biznesmeni Orce Kamçev. PSP-ja i lidhi përmes bisedës së përgjuar mes tyre më 6 qershor të vitit 2011, kur në mënyrë brutale dhe jonjerëzore u arrestua Lube Boshkoski. Në dalje nga gjykata, Kamçevi tregoi stil dhe sjellje të “xhentëlmenit” të vërtetë. Ia hapi derën e rëndë të gjykatës Trajkovskës. E përqafoi dhe pozoi në mënyrë të relaksuar para kamerave.
Por, kur nuk kishte kamera në sallë, përveç asaj të gjykatës, Kamçevi nuk u tregua aq i relaksuar. Asnjëherë nuk e shikoi në sy të akuzuarin e parë Sasho Mijallkov. Kamçevi filloi me dëshminë, por tha pak fjalë. Përgjigjej në pyetjet e PSP-së, por nuk tregoi hollësira për arrestimin e Lube Boshkoskit. Atë ditë është informuar nga mediat për arrestimin spektakolar para restorantit “Vodenica”, një ditë pasi që VMRO-DPMNE-ja fitoi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në vitin 2011.
Nuk më kujtohet se kam folur me Olivera Trajkovskën. Në PSP m’i treguan bisedat telefonike, por nuk i pranoj, ato janë të prera, të ngjitura dhe montuara”-tha Orce Kamçev.
Nëse qëllimi i Kamçevit ishte të tregohet i qetë para gazetarëve, PSP-së dhe të akuzuarit, gazetarja Olivera Trajkovski tregoi më shumë guxim se ai. Pranoi se më 6 qershor para tetë viteve ka biseduar me Kamçevin, ndërsa për bisedën që ia kanë lëshuar në PSP pohon se ka qenë autentike.
Më 6 qershor bisedova me Orcen, këtë e thash edhe në PSP. Jordani më tregoi se diçka do të ndodhë për një orë. Gjatë bisedës kemi përdorur termin “mik”, por nuk ka dilemë se Sasho Mijallkovi ia ka dhënë informacionin. Ndonëse përdornim termin “miku”, unë e përdorja termin “telefonisti” dhe unë konfirmova se bëhet fjalë për Sasho Mijallkovin”-pohoi Olivera Trajkovska.
Për arrestimin jonjerëzor të Lube Boshkoskit më 6 qershor të vitit 2011 është akuzuar Sasho Mijallkov dhe gjashtë pjesëtarë të njësisë policore “Alfa”. Boshkoski u arrestua, e më pas edhe u dënua për financim të paligjshëm të partisë së tij “Të bashkuar për Maqedoninë”.
Bojan Stojanovski
Loading…



