21 April
Sindikata e diplomatëve ka hedhur dyshime se Ministria e Jashtme me sistematizimin e ri të diplomatëve nëpër ambasada dhe konsullata përpiqet të punësojë kuadro partiakë edhe atë në mënyrë jotransparente. Sipas kryetarit të sindikatës, Sashko Todorovski, 20 konkurset e brendshme në Ministrinë e Jashtme shpallen në kulmin e krizës politike, në kohën kur institucionet janë të bllokuara plotësisht, pa e njoftuar fare sindikatën për një hap të tillë.
Deri në formimin e qeverisë hapa të tillë nuk duhet të ndërmerren. Në veçanti na shqetësojnë punësimet në katër vendet kyçe, Londër, Paris, Uashington dhe misionin e NATO-s në Bruksel, edhe pse atje për momentin kemi njerëz të mjaftueshëm – tha Sashko Todorovski, kryetar i sindikatës së shërbimit diplomatik.
Nga Ministria e Jashtme reaguan se konkurset e brendshme janë në përputhje me ligjin.
Udhëzimet në përfaqësitë diplomatike- konsullore realizohen sipas kornizës relevante ligjore. E njëjta përfshinë ligjin për punë të jashtme, dispozitat në Rregulloren për udhëzim dhe të gjitha aktet e tjera relevante nënligjore. Këto fakte janë të njohura edhe për personat që paraqiten si sindikatë, por një gjë të tillë e bëjnë për përfitime personale apo politike – thanë nga Ministria e Jashtme.
Por ndërsa Ministria e Jashtme shpall konkurse të brendshme, një numër i madh i ambasadave të Maqedonisë nëpër botë që duhej ti takonin kuadrove shqiptare prej vitesh mbeten vakante për shkak të kontestimit të legjitimitetit të Ivanovit nga BDI-ja. Nga Ministria e Jashtme thonë se një pjesë e konkurseve kanë të bëjnë edhe për pozitat ku nuk ka ambasadorë, por për postet e tjera varësisht nga nevoja. Megjithatë, dikasteri i jashtëm nuk komentoi thirrjet se qeveria në largim nuk ka legjitimitet për punësime dhe sistematizime të tilla dhe se është absurde që deputeti Nikolla Poposki të ketë pasaportë diplomatike dhe më tej të ushtrojë postet e ministrit të jashtëm dhe zv/kryeministrit.
Alsat-M

