BUBEVSKI: TË AKUZUARIT TË SHPALLEN FAJTORË
Sasho Mijallkov, Menduh Thaçi dhe ish anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve të shpallen fajtorë për rastin “Titanik 2” dhe çdonjëri prej të akuzuarve të përgjigjet sipas shkallës së veprës penale, ka kërkuar prokurori Gavril Bubevski, gjatë seancës së sotme ku u thanë fjalët përfundimtare.
“Kërkojmë t’i shpallni për fajtorë dhe t’i dënoni për veprën e kryer penale duke vlerësuar të gjitha rrethanat rënduese dhe lehtësuese” – tha Gavril Bubevski.
Për ish anëtarët e KSHZ-së, Bubevski si rrethana lehtësuese për dënim më të butë theksoi se nuk po zhvillohen procedura të tjera gjyqësore për to dhe nuk janë të dënuar, ndërsa si rrethana rënduese theksoi keqpërdorimin e njohurive të tyre dhe shkeljen e ligjeve që kanë bërë para syve të opinionit.
“Për Menduh Thaçin duhet të vlerësojë gjykata. Si rrethanë rënduese është qëllimi i drejtpërdrejt i nxitjes dhe rrethanat. Duhet theksuar respekti i tij për gjykatën dhe prokurorinë” – tha Gavril Bubevski.
Rasti “Titanik 2”, i cili ka të bëjë me parregullsitë në zgjedhjet lokale të vitit 2013, po gjykohet për herë të dytë, pasi Gjykata e Apelit shfuqizoi aktvendimin e Gjykatës Penale, e cila kishte dënuar Mijallkovin me 3 vite burg, Thaçin me 3 vite e 2 muaj, ndërsa dënime me burg kishin marrë edhe të akuzuarit e tjerë.
“Titanik 2” ka të bëjë me parregullsitë në zgjedhje. Sipas aktakuzës, Mijallkov përmes liderit të PSDH-së, Menduh Thaçi, ka urdhëruar që bashkë partiaku i këtij të fundit nga KSHZ, të votojë për anulimin e votimit të rregullte në vend votimin në Strumicë, në interes të Vasil Peshevit nga VMRO – DPMNE, në dëm të kandidatit të atëhershëm, Zoran Zaev.
Thaçi dhe ish anëtarët e KSHZ-së akuzohen për veprën penale keqpërdorimi detyrës zyrtare. Ndërsa, Mijallkov akuzohet për “marrjen e shpërblimin për ndikim në mënyrë të paligjshme”, vepër e cila vjetërsohet në prill të këtij viti, me çka rrezikohet që Mijallkov të shpëtojë nga përgjegjësia. /KlanMacedonia/