22 November
Bisedat e përgjuara do të jenë prova edhe në rastin “Titanik 2”. Kështu vendosi Gjykata e Apelit në Shkup pas ankimimit të PSP-së, dhe pasi që Gjykata Themelore i hodhi poshtë “bombat” si provë në këtë lëndë.
Në praktikë kjo do të thotë se bisedat e përgjuara do të përdoren në mënyrë legjitime në gjykatë, në procesin kundër 11 të akuzuarve, në mesin e të cilëve janë kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi, ish-drejtori i DSK-së Sasho Mijallkov, si edhe dhjetë persona – anëtarë të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe gjykatës në Gjykatën Administrative. Të gjithë akuzohen për vepër penale “keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimit” me përjashtim të Mijallkovit i cili është akuzuar për “marrje të shpërblimit për ndikim kundërligjor”.
Bisedë mes Menduh Thaçit dhe Sasho Mijallkovit
SM: Menduh…
MTH: Fol
SM: Çfarë bën?
MTH: Ja, këtu po rri me disa njerëz
SM: Kam një urgjencë emergjente për ty.
MTH: Po.
SM: A mund të votoni për ne tani për Strumicë? Të mos…
MTH: Në komision?
SM: Po në KSHZ.
MTH: Po, mundet, ja do të lajmërohem menjëherë
SM: Por, kjo duhet tani menjëherë të fillojë për 5 minuta, ne e prolonguam pak…
MTH: Menjëherë… menjëherë, menjëherë do të lajmërohem për një minutë dhe do të tregoj.
SM: Hajde, hajde.
Në fakt, PSP-ja e akuzon Mijallkovin dhe Thaçin se kanë ndikuar në mënyrë të paligjshme mbi Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve për rivotimin e zgjedhjeve lokale në vitin 2013 në Strumicë. Vendimi i tillë më vonë u konfirmua nga gjykatësit në Gjykatën Administrative, gjë që sipas PSP-së është bërë në mënyrë të paligjshme.
Vendimi i Gjykatës së Apelit rezultoi pas seancës së djeshme publike në këtë gjykatë. Në të ishin të pranishëm vetëm prokurorët nga PSP-ja dhe asnjëri nga të akuzuarit.
Alsat-M

