Nga këndvështrimi evropian, prioritet kanë reformat e jo zgjedhjet e reja parlamentare. Kështu mes tjerash thotë ambasadori francez në Maqedoni, Kristian Timonie, duke shtuar se zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk janë prioritet as i qytetarëve të Maqedonisë. Në një intervistë për Revistën SHENJA, ai thotë se Maqedonia ka përjetuar një seri të zgjedhjeve për të cilat shpreson se mundësuan dhe ndihmuan në mbylljen e krizës së gjatë politike.
“Nga këndvështrimi evropian, gjërat janë më se të qarta: vendi ka humbur kohë të çmueshme, andaj reformat urgjente në fushën e drejtësisë, medias, administratës, madje edhe formacioneve politike janë parësore. Shpërndarja e vendeve parlamentare dhe posteve ministrore në mes partive, përmes një cikli të ri legjislativ dhe qeveritar na duket më pak urgjentesi neve, po ashtu edhe shumicës së qytetarëve të Maqedonisë.”, ka deklaruar për Revistën SHENJA, Christian Thimonier, ambasador i Francës në Maqedoni.
Gjatë intevsitës, Timonie thotë se liria është një e drejtë dhe kufizimi i saj është përjashtim. Për lirinë e shprehjes në Ballkan, ai thotë se korniza ekonomike paraqitet si sfidë për lirinë e shprehjes, e cila sipas tij, ndërlidhet edhe me ndërhyrjet e autoriteteve dhe fuqive politike.
“Trashëgimtarët e pushteteve komuniste, qoftë proviniencës së djathtë apo asaj të majtë, nuk kanë një lidhje të rehatshme dhe të lehtë me lirinë e shprehjes, e cila konsiderohet si një embrion i rebelimit dhe indinjimit. Kushtet ekonomike e bëjnë edhe më të vështirë mbajtjen e një shtypi cilësor dhe investigativ.”, ka shtuar ai.
Në intervistën për Reviztën SHENJA, Ambasadori francez thotë se gjuha e urrejtjes është njëkohësisht rrugë e shmangies nga liria e shprehjes në anën tjetër të ekstremit, e cila meriton një syçelësi të shtuar.
Timonie thotë se historia franceze na mëson se liria duhet të posedojë armën për të mbrojtur veten e saj, por thekson se ajo përsëri duhet të mbetet liri.
Abdulla Berisha /SHENJA/

