Rreth 20 mijë vaksina anti kovid deri më tani janë asgjësuar për shkak të skadimit të afatit, pasi nuk ka pasur interesim te mjaftueshëm për vaksinim. Edhe 25 mijë të tjera të llojit Astra&Zeneca janë në prag të skadencës, dhe sipas dinamikës së të interesuarve deri në fund të muajit duket se do të shkojnë dëm. Ministri Filipçe këtë situatë nuk e lidh me mos efikasitetin e autoriteteve shëndetësore për të shfrytëzuar deri në pikën e fundit ilaçin e shekullit, duke thënë se nuk ka interesim nga qytetarët.
“Janë asgjësuar një pjesë e vaksinave donacion nga Bullgaria, megjithëse u kemi kushtuar vëmendje të lartë sikurse edhe të tjerave procedura të shkatërrimit të barnave. Praktikisht, ato digjen proces i cili udhëhiqet nga Agjencia e barnave, sikurse ilaçet tjera që u skadon afati. Vaksina ka të mjaftueshme, të tjera do të vijnë deri në fund të vitit dhe disa që do të sillen donacion, ja nesër do vijë donacioni nga Polonia. Kështu që sasia e vaksinave nuk është çështje që do të na shqetësoj”, deklaroi Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.
Por nga Agjencia e Barnave, organi i cili firmos çështjen, thonë se deri më tani nuk kanë proceduar asnjë dozë vaksinash anti-kovid për asgjësim. Drejtori Lirim Shabani tregon se kërkesa e vetme që kanë nga Ministria e Shëndetësisë, janë për doza të tjera që janë prishur ngaqë nuk janë dhënë pas shkrirjes dhe nuk janë respektuar protokollet e transportit dhe ruajtjes në temperatura të ftohta, të cilat janë prishur.
“Nga prodhues të ndryshëm, varësisht prej numrave serik në kërkesën konkrete deri te ne ka arritur nga prodhuesi Pfizer kërkesë prej dy serive që të asgjësohen 3237 vaksina dhe nga prodhuesi Sinofarm me një seri të caktuar prej 1,000 vaksina. Duhet të ndiqen rreptësishtë rregullat se si duhet të asgjësohen vaksinat dhe të jenë të qetë qytetarët se asnjëherë nuk është lejuar nga ana e MALMED dhe në vazhdimësi nuk do t lejohen të përdoren vaksinat që nuk i plotësojnë standardet botërore për përdorim”, tha Lirim Shabani, Drejtor i Agjencisë së barnave MALMED.
Mbetet në rrethana të pasqaruara përse nuk janë respektuar procedura ligjore për asgjësim, nëse vërtetë ai proces ka ndodhur në deponinë Drislla. Nga MALMED zbulojnë për opinionin se vaksina anti kovid janë prishur edhe duke pasur afat, gjë të cilën asnjëherë nuk e kanë thonë Ministria Shëndetësisë. Për momentin rezervë ka mbi 250 mijë doza vaksinash nga prodhuesi Pfizer&BioNtech, që kanë afat deri në muajt Janar/Shkurt 2022. Por, që interesimi i qytetarëve për imunizim ende mbetet në nivel të ulët. 2/3 e popullsisë janë të pabindur për tu vaksinuar, ndërkaq 37% e qytetarëve janë me imunitet të plotë./Alsat.mk