Alsat-M 2019-04-22T14:14:59+02:00
Informatat për dislokimin e mundshëm të pikës për ngarkim shkarkim të mbeturinave nga dalja e Tetovës, në një fushë tjetër, ka irrituar një pjesë të banorëve të cilët në shenjë proteste, kanë bllokuar rrugën për hyrjen në këtë parcelë. Ata thonë se ka dyshimi që këtu do të sillet deponia, ndërkohë që rrezikon jo vetëm fushat e mbjella por edhe shtëpitë për rreth. Banorët kërkojnë nga ndërmarrja publike që të ndalojë punët për dislokimin e mbeturinave.
“Duan ta sjellin bërllokun e qytetit ta zbrazin këtu, deponi bërlloku. Ne këtu e kemi jetën këtu punojmë, këto toka janë pjellore. Kemi kafshë, puse, dhe tërë jetën e kalojmë këtu, ekzistojmë nga kjo, e punojmë tokën tonë”
“Nga ndërmarrja publike kërkojmë mos bëhet kjo se është në dëm tonë. Erdhëm këtu te pronari por e ka lënë punën, e kërkova në telefon dhe përgjigjja e tij ishte se toka është e imja, çka të dua bëj me të”
“Do vazhdojmë deri në fund, kjo është tokë pjellore, diçka nuk është në rregull këtu. Dëme kemi, pisllëqet vinë krejt këtu, arat prishen. Do shohim si do vazhdoj puna [por nuk e lejmë, ne do e mbrojmë tokën”- theksuan banorët e intervistuar
Nga Ndërmarrja Publike komunale Tetova thonë për Alsat se hapa konkrete në këtë drejtim nuk ka.
“Zyrtarisht ende nuk ka ndonjë lokacion të caktuar për dislokimin e pikës për ngarkim shkarkim të mbeturinave, por po punohet në atë drejtim, pasi kontrata me lokacionin e vjetër ka skaduar”
Deri tek dislokimi i pikës për ngarkim shkarkim të mbeturinave nga dalja e qytetit, ka ardhur si pasojë e refuzimit për vazhdim të kontratës nga ana e pronarit të tokës. Ndërsa për pikën e re për selektimin e mbeturinave akoma nuk është hedhur gurthemeli.
Bashkim Sulejmani
Loading…



