01 Shkurt
Në lagjen Dardania është krijuar një deponi tjetër për të cilin nga komuna thonë se deri tani nuk kanë pasur njohuri. Ata premtojnë se pas inspektimit të terrenit nga inspektorët komunal, do të fillojë pastrimi i saj. Kjo deponi është krijuar vetëm disa muaj pas pastrimit të deponisë në hyrje të qytetit.
“Pas eliminimit të deponisë së madhe që ishte në hyrje të qytetit të Tetovës, një rrezik tjetër tanimë i kanoset ambientit në Tetovë. Në vetëm disa metra nga rruga Industriale po krijohet një deponi gjigante tek e cila mund të gjesh, nga teknika e bardhë, mobilet e deri tek eshtrat e kafshëve. E që kjo fatkeqësi të jetë edhe më e madhe, mbi të, lozin fëmijët e kësaj lagjeje rome”.
Nga ndërmarrja Publike Komunale thonë se më herët nuk kanë pasur informacion për deponinë në fjalë, ndërsa premtojnë se, brenda disa ditësh do fillojnë aksion për pastrimin e saj.
Normalisht atë pjesë ne e marrim çdo të martë, flas për pjesën e Dardanisë dhe tek ajo rrugë pra i marrim të martën dhe të mërkurën mbeturinat. Unë nuk kam pas qasje tek ajo mini-deponi, hera e parë që po dëgjoj që është krijuar por sipas informatave është një pjesë e qytetarëve që kanë krijuar atë mini-deponi për biznesin e tyre. Ndërmarrja pas inspektimin nga inspektorët komunal do marrë masa ta pastruar atë – tha Xhelal Ceka, drejtor i NPK Tetova.
Nga ana tjetër, inspektorati komunal që ditën e djeshme ka dalë në terren dhe po merren me zbulimin e personave që kanë hedhur aty mbetjet.
Inspektorët komunal janë të informuar për rastin në fjalë që është lajmëruar në mediumin tuaj, dhe pas faktimit të gjendjes ne do të ndërmarrim masa sepse në njërën pjesë tanimë kemi ndërmarrë masa por edhe në të ardhmen do jemi të pranishëm më tepër në atë rajon që të eliminojmë atë deponi të egër – u shpreh Hadi Fetishi, shef i inspektoratit komunal.
Sipas informatave të inspektoratit komunal, deponia është krijuar muajin e fundit nga banorët e kësaj lagjeje që jetojnë në bregun e lumit Shkumbin, dhe që shpesh mbledhin mobile, teknik të bardhë dhe kartona, të cilat më pastaj i selektojnë dhe i shesin.
Bashkim Sulejmani

