Lidhja Demokratike e Kosovës sot ka mbajtur Kuvendin e nëntë zgjedhor. Në këtë Kuvend Isa Mustafa u rizgjodh kryetar i parisë. Zgjedhja e tij u bë me aklamacion
Të pakënaqur me mënyrën se si u rizgjodh Mustafa në krye të partisë ishin ish-kryetari Fatmir Sejdiu dhe Melihate Tërmkolli.
Tërmkolli doli nga salla ku po mbahej Kuvendi zgjedhor ndërkaq pas daljes tha se brenda e kërkoi fjalën por nuk iu dha.
“Unë e kërkova fjalën dhe nuk mu dha, por kjo ndoshta nuk është e çuditshme, sepse në krye të LDK’së e kemi njeriun që ka qenë Ministër i Rrahman Morinës, dhe nuk është aspak e çuditshme”, ka thënë Tërmkolli.
Tërmkolli tha se procesi i sotëm në LDK ishte më i keq se ai i sistemit komunist.
“Me procesin që e zhvilluan LDK’ja sot, ia kaluan edhe sistemit komunist. Unë kam qenë edhe në vitin 1989, bilës fjalën ma kanë dhanë. Sot kolegët aty që ishin as fjalën nuk ma dhanë. Nuk e di pse kishin nevojë. Unë iu thash nuk e di pse po frikoheni. Unë i thash po dua që të flas për pikën e parë”, ka thënë ajo në T7.
Tutje ajo ka sqaruar se çka kishte dashur që të flasë para delegatëve.
“Thjeshte nuk u lejua që njerëzit ta thonë fjalën e tyre. Në mënyrën më njerëzore u ofrova. Kur e panë ata një situatë të tillë. Është shumë e dhembshme me pa veprime të tilla në partinë e parë demokratike në të gjithë hapësirën shqiptare- në LDK, me degradu deri në këtë masë është diçka e pakuptueshme. Kryesia e punës ma pamundësoi fjalën. Unë u ngrita në këmbë. E panë që të gjithë. Sot u pa procesi ishte një montim i plotë”, ka deklaruar ajo./GazetaExpress/