Një operacion i policisë greke në Janinë ka përfunduar me sekuestrimin e një sasie të madhe droge dhe arrestimin e një shtetasi shqiptar, pas një ndjekjeje që zgjati rreth 30 minuta.
Sipas autoriteteve, gjithçka ka nisur mëngjesin e së enjtes pranë kryqëzimit të Eksohisë, ku efektivët e Seksionit të Luftës kundër Narkotikëve në Janinë kanë tentuar të ndalojnë për kontroll një automjet me targa të falsifikuara ukrainase.
Në vend që të ndalonte, drejtuesi i mjetit, një 35-vjeçar me shtetësi shqiptare, ka shtuar shpejtësinë duke u përpjekur të largohet. Gjatë arratisjes ai ka kryer manovra tepër të rrezikshme, duke hyrë edhe në korsinë e kundërt të qarkullimit, duke rrezikuar seriozisht përdoruesit e tjerë të rrugës.
Ndjekja policore ka vijuar për rreth gjysmë ore dhe ka përfunduar në zonën e Papigos, ku forcat e policisë kanë arritur të bllokojnë automjetin dhe të vënë në pranga drejtuesin e tij.
Gjatë kontrollit në brendësi të mjetit, janë gjetur 28 pako me lëndë narkotike të dyshuar kanabis sativa të papërpunuar, me një peshë totale prej 167 kilogramësh e 200 gramësh.
Nga verifikimet paraprake ka rezultuar gjithashtu se i arrestuari nuk dispononte dokumentacion të rregullt për qëndrim në territorin grek.
Ndaj tij janë ngritur akuza për trafik narkotikësh, drejtim të rrezikshëm të automjetit, falsifikim dokumentesh dhe shkelje të ligjit për të huajt. Ai pritet të dërgohet përpara Prokurorisë së Shkallës së Parë në Janinë për vijimin e procedurave ligjore.


