Temperatura pranverore sot, por nga e shtuna nis rënia
Sot moti do të jetë i ndryshueshëm me vranësira dhe relativisht i ngrohtë. Në disa lugina do të ketë mjegull në orët e mëngjesit. Do të fryjë erë mesatare nga jugu, e cila vende-vende përkohësisht do të jetë e fortë.
Temperatura minimale do të lëvizë nga 6 deri në 12 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 17 deri në 21 gradë Celsius.
Në Shkup do të mbajë mot kryesisht me vranësira. Në disa pjesë të luginës pritet mjegull në mëngjes. Do të fryjë erë mesatare nga jugu. Temperatura minimale do të zbresë në 8, ndërsa maksimalja do të arrijë deri në 17 gradë.
Moti në ditët në vijim
Në ditët në vijim do të mbajë mot i ndryshueshëm me vranësira dhe reshje lokale të herëpashershme shiu, me intensitet të dobët deri mesatar. Në disa lugina do të ketë kushte për mjegull në mëngjes.
Të premten moti do të jetë relativisht i ngrohtë, me temperatura dukshëm mbi mesataren për këtë periudhë të vitit. Do të fryjë erë e fuqishme deri në shumë të fuqishme nga jugu, e cila vende-vende do të arrijë shpejtësi mbi 80 km/h.
Nga e shtuna, me depërtimin e një mase më të ftohtë ajrore nga veriu, temperaturat do të pësojnë rënie.



