Në Komunën e Tearcës, po punohet për instalimin e një rrjeti të kanalizimit fekal, i cili pritet të tejkalojë problemet ekzistuese, me të cilat ballafaqohet popullata e këtij fshati për vite me radhë.
Komunën sot e vizitoi ministri i Mjedisit Jetërsor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini, i cili u informua nga kryetari i Komunës së Tearcës, Isen Asani për rrjedhën e punimeve.
“Kjo është një gjë e rëndësishme për Komunën tonë. Ndërtimi i rrjetit të kanalizimeve fekale është me kërkesë të të gjithë banorëve të Tearcës. Ne, si vetëqeverisje lokale, jemi të gatshëm të zbatojmë shumë projekte të tjera krahas këtij, me dokumentacion teknik të përgatitur. Sigurisht, për këtë gjejmë mbështetje të madhe nga pushteti qendror”, tha kryetari i Komunës së Tearcës, Isen Asani.
Ministri Nuredini u njoh me rrjedhën e ndërtimit të kanalizimit fekal dhe premtoi ndihmë nga pushteti qendror për çdo projekt të mirë, siç është ky, që do t’u dorëzohet atyre.
“Me projektin parashikohet ndërtimi i rrjetit të kanalizimeve në 26 rrugë (degë). Gjatësia e përgjithshme e rrjetit të kanalizimeve për të gjitha 26 degët është rreth 11.700 metra. Për realizimin e këtij projekti, mjetet në vlerë prej afërsisht 52 milionë denarë janë siguruar nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, dhe i njëjti duhet të kompletohet plotësisht brenda 33 muajve. Pra, më së voni deri në vitin 2023, banorët e Tearcës duhet të kenë një sistem funksional për kullimin e ujërave të ndotura, i cili do të mbrojë ujërat nëntokësore, puset dhe mjedisin në përgjithësi”, tha ministri Nuredini dhe theksoi se si pushtet qendror do të vazhdojë të mbështesë projekte të tilla dhe të ngjashme.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve rreth asaj se cilës komunë në Rajonin e Ohrit do t’i jepet përparësi në zbatimin e rekomandimeve të UNESKO-s, Nuredini tha se përparësia do t’i jepet të gjithë rajonit të Ohrit.
“Ne bëjmë gjithçka që është e nevojshme, dhe kemi afat prej dy vjetëve. Deri më tani ne kemi bërë shumë punë, plani i menaxhimit është bërë, kemi filluar të heqim platformat e ndërtuara në mënyrë të paligjshme dhe do të hiqen gjithashtu disa objekte që nuk kanë leje ndërtimi. Nuk është vetëm Struga, nuk është vetëm Ohri, gjithkund do të punohet”, theksoi ministri Nuredini.