Në arsimin fillor dhe atë të mesëm, shteti ka mundësuar sigurimin e librave falas dhe transportit publik, për nxënësit. Por, për rikonstruimin e shkollave, për të qenë bashkëkohore, financohet pak. Edhe klasës i mungojnë paisje, për lëndët kimi, biologji, fizikë, matematikë, edukatë fizike, etj. Mësimdhënësit ankohen se programet janë të pa përshtatshme për nxënësit, veçmas atyre në shkollën fillore. Nuhi Dardhishta, nga Lidhja e Arsimtarëve Shqiptar, Avokati i Popullit, Ixhet Memeti, si dhe profesori Universitar Xheladin Murati, ndajnë mendimin se shkollat në Maqedoni, kur bëhet fjalë për ato shqiptare, kanë mungesa të llojeve të ndryshme.
“Natyrisht për të ndërtuar të ardhmen ka nevojë për shkolla moderne, të cilat jo vetëm që do të ofrojnë njohuri bashkëkohore, por duhet të kenë edhe infrastukturë të mirëfilltë, me klasa moderne të pajisura me laborator, kabinete, pra kabinete informatike, salla leximi, bibliotekë të furnizuar me libra dhe vende për lexim. Pos kësaj shkolla moderne veçohet edhe me shumë elemente të tjera”, tha Murati, profesor universitar, për Almakos.
Murati shtoi se, aktualisht, jo vetëm për të fajësuar kushtet e pranishme, por për të parë realisht fizionominë e shkollës moderne, duhet të njohim shumë parametra arkitektonike dhe didaktike, te cilat gjithë së bashku e formojnë gjeometrinë e shkollës.
Avokati i popullit, Ixhet Memeti, në një prononcim për mediat në vend tha se qeveria nuk duhet të ndalojë vetëm me sigurimin e librave falas dhe transportit publik, por edhe në plotësimin e mangësive të tjera të nevojshme.
“Garancia juridike e të drejtës për arsim fillor dhe të mesëm të domosdoshëm falas duhet të kuptohet shumë më gjerë sesa vetëm me sigurimin e librave falas dhe transportit publik.
Nevojitet shumë më tepër me qëllim të sigurimit të kësaj të drejte të fëmijës në bazë të barabartë. Nevojiten shkolla përkatëse dhe moderne, objekte shkollore të adaptueshme, klasa me pajisje moderne, përmbajtje mësimore cilësore, shërbime profesionale me ekipim të plotë, kuadër mësimor, i cili synon drejt respektimit dhe realizimit të të drejtave të fëmijëve”, tha Avokati i Popullit me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor.
Nga Lidhja e Arsimtarëve Shqiptar, Nuhi Dardhishta thotë se duhet të rritet buxheti në arsim, për mjete mësimore.
“Është kërkesa për avancimin për proceset edukative arsimore, për ngritjen e cilësisë në arsim, nevoiten kushtet. Shkollat vazhdimisht presin që të piqen kushtet, nuk do të thotë se shkolla ka për detyrë vetëm ta pret fëmijën dhe të jetë vetëm arsimtari si një figurë, që do ta spjegojë mësimin, vetëm me një tabelë e shkumës. Shkollave në Maqedoni u nevoitet shumë çka, janë prindërit që përpiqen të ndihmojnë, duke sjell vetë fëmijën, duke blerë pajisje, veçmas ata në klasën e parë, të gjitha këto i bëjnë në mënyrë vullnetare. Mirëpo, këto duhet shteti t’i bëjë. Kabineteve tona u mungojnë mjete, ka shumë mungesë, u nevoitet harta, laboratore, që të bëjnë eksperimente. Ne nuk na kanë munguar në vitet e “70-ta, por sot u mungojë fëmijëve tanë. Çfarë mund të presim, pas mbarimit të tetvjeçares ose të shkollës së mesme, madje edhe në fakultete, nga kjo del se çfarë mësimdhënës do të del ai, në të ardhmen. Ose e kundërta, profesori i kimisë, pa laborator, si do të mund ta spjegojë mësimin, ose ai eduatës fizike, e të tjerë. Këtu është problemi. Ne nga LASH-i kemi kërkuar që të rritet buxheti, të paktën për 10 përqind, e jo 2 ose 3 përqind, që të mund të furnizohen të gjithë shkollat me mjetet e nevojshme”, tha Nuhi Dardhishta nga LASH-i, për Almakos.
Dardhishta shton se Avokati i Popullit është vonuar në kërkesar për një arsim të shëndosh dhe me kushte bashkëkohore.
“Kjo porosi e dhënë e Avokatit madje është e vonuar, sepse ai është që i mbron të drejtat e fëmijëve. Ai është zëri, që dëgjohet. Kur jepet me ligj se shkollimi është i obliguar, atëherë duhet të ofrohen kushte”, tha Dardhishta, për Almakos.
Delvina Kërluku
Almakos.com

