Të paktën 20 protestues janë shoqëruar në polici pas tensioneve të shënuara gjatë protestës së sotme para Kuvendit. Protesta u zhvillua që prej orëve të mëngjesit, në të njëjtën kohë kur brenda Kuvendit po mbahej seanca plenare. Situata u tensionua gjatë ndërhyrjes së policisë, e cila përdori gaz lotsjellës dhe sprej me piper për të shpërndarë protestuesit.
Ndërkohë, dy përfaqësues të Avokatit të Popullit ndodhen në ambientet e policisë, ku po monitorojnë statusin e personave të shoqëruar, si dhe kushtet në të cilat ata po mbahen.
Mes të shoqëruarve ishte edhe një gazetare, Vjolanda Peca, e cila, sipas informacioneve paraprake, u mbajt për disa orë në polici pasi nuk kishte me vete bexhin identifikues të medias. Ajo është liruar më pas.



