Seanca e së hënës shënoi dështimin e katërt radhazi për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Seanca, e cila u hap të hënën, u ndërpre menjëherë pasi kryesuesi Avni Dehari kërkoi nga Lëvizja Vetëvendosje që të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit.
Deputeti i kësaj partie, Glauk Konjufca, tha se kandidatura mbetet e njëjtë – Albulena Haxhiu.
Ai shtoi se, duke qenë se partitë e tjera janë deklaruar kundër votimit të saj, nevojitet kohë shtesë për konsultime të brendshme dhe ndërpartiake.
“VV, padyshim e ka emrin e njëjtë, Albulena Haxhiu si e propozuar. Ne meqenëse e kemi parë që të gjitha subjektet politike qysh dje kishin paralajmëruar se do të kenë qëndrimin e njëjtë, mendoj se në këtë situatë politike nuk mund të zgjidhet përveç se me një marrëveshje politike…Pa krijimin e një mazhorance këtu në Kuvend për kryetarin e Kuvendit nuk do të mund të themelohet vetë Kuvendi. E njëjta logjikë është edhe për nënkryetarë… Atëherë ne zoti kryesues kërkojmë një kohë shtesë që të mos përsëritet situata e njëjtë që e patëm tri herë radhazi në Kuvend”, tha Konjufca.
Pas kësaj, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ndërpreu seancën e sotme dhe u vendos që seanca të vazhdojë të mërkurën në orën 10:00.
Në seancën e 19 prillit, Lëvizja Vetëvendosje, propozoi Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, por që e njëjta nuk mori vota të mjaftueshme. Në të dyja raundet, ajo u votua vetëm nga 57 deputetë.
Subjektet politike, LDK dhe PDK deklaruan se nuk e votojnë Haxhiun për kryeparlamantare, ndërsa AAK tha se nëse LVV propozon Saranda Bogujevcin ose Shqipe Mehmeti Selimi për kryeparlamentare, atëherë do ta votojnë pro.
Ndryshe, Albert Krasniqi nga organizata Demokraci Plus, njëherësh njohës i punës së Kuvendit të Kosovës, ka shprehur shqetësime lidhur me mënyrën se si është udhëhequr seanca konstituive e Kuvendit nga Avni Dehari, përfaqësues i Lëvizjes Vetëvendosje.
Në një postim në Facebook, Krasniqi e ka cilësuar ndërprerjen e seancës si veprim arbitrar dhe në kundërshtim me obligimet kushtetuese të kryesuesit.
“Kryesuesi i seancës konstituive veproi në mënyrë arbitrare dhe në kundërshtim me obligimet kushtetuese duke e ndërprerë seancën pa lejuar zhvillimin e votimit”, shkroi ai.
Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt, ku LVV doli e para, PDK e dyta dhe LDK e treta.