Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka përcjellë mesazhin e tij në mbledhjen e kryesisë. Në fjalimin e mbajtur ai tha se kemi hyrë në një vit elektoral dhe duhet të zgjidhim disa probleme madhore, duke u ndalur tek vota e lirë.
Berisha: Sot, kryesia e PD mblidhet në një moment vendimtar në historinë e saj, mblidhet në një moment kur kjo kryesi duhet të marrë përsipër përgjegjësitë e rikthimit të votës së lirë të qytetarëve shqiptarë. PD në vitet e fundit, përjetoi një proces të rrallë, të vështirë, por ajo sot është në këmbë, është e fuqishme, është e bashkuar, pavarësisht se parashikimit, ose përpjekjet e hapta ishin që kjo forcë politike të denatyrohej, të shndërrohej në një simotër të Partisë së krimit, të fshihej e tërë historia e saj, të fshihej, të spostohej aksi i programit të saj.
Ju keni bërë një betejë të fortë, por edhe të suksesshme, jeni përballur me probleme të mëdha, të vështira, dhe ato janë kapërcyer.
Kemi hyrë tani në një vit elektoral. Ky problem madhor që duhet të zgjidhim është një problem që u trashëgua nga zgjedhjet në zgjedhje.
Shqiptarët janë dëshmitarë, se Edi Rama, nga 2017 deri në 4 gusht 2024 shkoi duke deformua në shkallë maksimale, duke shndërruar procesin zgjedhor në një farse të vërtetë zgjedhor.
Përveç kësaj, ne kemi patur edhe një problem të dytë madhor, se ky proces shkatërrimtar i procesit zgjedhor është shoqëruar me një propagandë të stërfuqishme, e cila ka fajësuar viktimën dhe jo fajtorin e vërtetë. E cila ka shpallur krimin elektoral sukses dhe ka shpallur fitore, fitoren e grabitur.



