Disa ditë pas të enjtes së përgjakshme, po rritet presioni brenda VMRO-DPMNE për përgjegjësi. Pushtetit 10 vjeçar të Gruevskit tani po vijnë ditë të vështira, shkruan portali Faktor, në një kolumn të publikuar.
Menaxhimi i partisë bëri që ajo të izolohet tërësisht, jo vetëm në planin e brendshëm, por edhe të jashtëm. Bashkësia ndërkombëtare nuk do ta shoh si partner serioz këtë parti, e cila humbi çdo shans për koalicionim me partitë shqiptare, sidomos siç thuhet pas të enjtes së përgjakshme ku më së keq e pësoi Ziadin Sela. Në kushte të këtilla shtrohet pyetja se çfarë hapi do të ndërmarrë Gruevski. Ai më nuk e ka komoditetin e një lideri të pamposhtur. Apetitet brenda partisë po rriten, ndërsa janë disa emra si pasardhës të tij.
Ndërsa njohësit e politikës thonë se a nuk do të largohet aq lehtë, pasi që edhe në cilësinë e liderit të opozitës do të vlerësojë se do të organizojë rezistencë më të madhe si opozitë, ndaj proceseve gjyqësore që po udhëhiqen ndaj tij. Ish-paraardhësi i tij, Lubço Georgievski porositi Gruevskin që të lëshojë fronin dhe të pranojë humbjen, duke i lënë tjetërkujt lidershipin partiak. Por se a do të ndodhë kjo do të varet nga zhvillimet e afërta politike.