5 September 2018 / 15:48
Televizioni ALSAT ka dorëzuar kërkesë deri në Ministrinë e Kulturës dhe në Qeveri për ndryshime të Ligjit për Fondin e Filmit lidhur me kuotën prej 0,9% që ALSAT M si televizion kombëtar e siguron për Agjencinë e Filmit. Nisur nga ngjarjet e fundit, ku nëpër media doli në qarkullim traileri i filmit “Tallje me Krishtin” në të cilin kishte skena ku pjestarët e UÇK-së paraqiteshin si dhunuesë dhe vrasës të civilëve maqedonas, ALSAT jo vetëm që distancohet por nuk dëshiron të jetë pjesë financuese e projekteve polemizuese filmike me përmbajtje që nxitin urrejtje ndëretnike që dëmtojnë marrëdhëniet në mes komuniteteve apo që lëndojnë kategori sociale të shoqërisë në Maqedoni.
“Transparenca e përdorimit të fondeve të kësaj agjencie lë hapësirë për dyshime. Agjencia asnjëherë nuk i ka njoftuar mediat kombëtare për përzgjedhjen, filtrimin si dhe realizimet e projekteve filmike të saj, qoftë edhe nga detyrimi moral ndaj televizioneve si financues të saj. Rasti me filmin e fundit që ngriti polemika dhe revoltë te komuniteti shqiptar tregon qartë se Agjencia e Filmit punon nën ndikime politike dhe etnike, pavarësisht se në kuadrin ligjor ajo është e rregulluar si institucion i pavarur. ALSAT-M kërkon urgjentisht nga Qeveria dhe Ministria e Kulturës që të marrin masa për heqjen e nenit detyrues për të gjitha televizionet kombëtare që duhet të financojnë Agjencinë e Filmit, si dhe të sigurojnë që ky organ të funksionojë në frymën e bashkëjetesës, në shoqërinë e Maqedonisë”.
Pas dorëzimit të kërkesës, ALSAT kërkoi nga Ministria e Kulturës dhe nga Qeveria sqarim nëse do të merret parasysh kjo kërkesë dhe kur mund të fillojnë ndryshimet eventuale ligjore por deri në këto momente ende nuk ka përgjigje mbi këtë çështje. Ndërkohë, 0.9% që mediat kombëtare i derdhin fodnit të filmit pritet të jetë pjesë edhe e debatit në Qeveri në seancën e ardhshme.
Filmi “Tallja me Krishtin” u prit me tone të ashpra nga opinioni publik. I njejti u komentua edhe nga vetë aktorët dhe producentët si nxitës i urrejtjes ndëretnike te komunitetet që jetojnë brenda Maqedonisë. Filmi i shumëpërfolur ka kushtuar 300,000 euro para nga buxheti shtetëror, mu për këtë arsye i njejti u dënua edhe nga kryeministri Zaev si dhe nga ministri i Kulturës Asaf Ademi.
Vjollca Aliti


