Ile Petreski
– Advertisements –
Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi u përpoq të arsyetojë EMV-në, e cila nuk paraqiti ofertë për energji elektrike te furnizuesi universal. Edhe pse në Ligjin për Energjetikë thuhet qartë se ky është obligim i prodhuesit më të madh të energjisë elektrike në Maqedoni, megjithatë ministri në mënyrën e tij vendosi ta interpretojë ligjin.
“Prodhuesi i energjisë elektrike me kapacitetin më të madh të instaluar në Republikën e Maqedonisë është i obliguar t’i ofrojë energji elektrike për shitje furnizuesit universal”, thuhet në Ligjin për energjetikë, Neni 237 (4).
“Ligji nuk thotë që në thirrjen e parë të ketë ofertë, ligji thotë që prodhuesi më i madh duhet t’i ofrojë furnizuesit universal dhe për këtë mund të ketë thirrje të dytë dhe të tretë”, deklaroi Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.
Informatën e djeshme që siguroi Alsat, se EMV-ja shtetërore ende nuk mund ta formojë çmimin që do të kërkojë EVN Home për energjinë elektrike për amvisëri, sot e konfirmoi edhe Bekteshi. Problemet me prodhimin minimal vendas dhe furnizimin me energji elektrike të shtrenjtë nga jashtë edhe më shumë e komplikojnë situatën përpara vendimit të Qeverisë se për sa do të duhet të rriten faturat e energjisë elektrike. Ministri paralajmëroi se do të kërkohet përgjegjësi për personat përgjegjës në kompanitë energjetike në rast se nuk kanë punuar sipas planit të përcaktuar fillimisht.
“Disa menaxhmente të filialeve të EMV-së nuk do t’i përmbushin planet e prodhimit deri në fund të vitit dhe gjithsesi edhe për vitin e ardhshëm, duke përfshirë këtu edhe TEC Manastirin, prej tyre do të kërkohet përgjegjësi”, tha Kreshnik Bekteshi, ministër i ekonomisë.
Nga EMV tash dy ditë heshtje dhe nuk zbulojnë arsyen pse nuk kanë dërguar ofertë për energji elektrike në tenderin për furnizuesin universal. Oferta e EMV-së në tenderin e EVN Home është kriteri kryesor për formimin e çmimit për amvisëritë dhe kompanitë e vogla. Aktualisht energjia elektrike kushton 36 euro për megavat orë, kurse në bursat botërore çmimi kalon 250 euro për megavat orë. /Alsat.mk


