Pak kohë pasi Botimet ALSAR nxorën nga shtypi librin “Mësime rreth predikimit të Islamit – Strategjia e re e predikimit”, autori turk, Garip Sağlık, ka ardhur në vendin tonë për të mbajtur disa takime të dedikuara veprës së tij.
Javën e kaluar, më 20 dhe 21 shkurt, takimet u mbajtën në Korçë, Elbasan dhe Tiranë.
Teologë, intelektualë dhe besimtarë dëgjuan nga autori pikëpamjet e shtjelluara në libër mbi predikimin.
Garip Sağlık u tha të pranishmëve se e trajton librin si një hyrje në disiplinën e predikimit, duke u nisur nga këndvështrimi se t’ua bësh të njohur të tjerëve jetesën dhe moralin islam sjell pëlqimin e Zotit, jetën e drejtë në këtë botë, solidaritetin social, ngritjen lart të të drejtave, luftën kundër prishësve dhe rendin në tokë. Prandaj predikimi i Islamit është detyrë për myslimanët.
Libri, nënvizoi ai për pjesëmarrësit në takim, shpjegon dijet, nocionet, përgjegjësitë, moralin, formimin, njohjen e procesit dhe përvojën që duhet të ketë një mysliman që do t’ua predikojë Islamin njerëzve, si dhe analizën, metodën dhe veprimin që duhet të ndjekë.
Dhe ashtu siç theksohet dhe në paraqitjen e librit, kjo vepër nuk është për ata që nuk e njohin Islamin, që nuk falen apo që sapo e kanë mësuar Islamin, por për ata që e kanë pranuar Islamin, që e falin si duhet namazin, që përpiqen për ta mësuar e jetuar fenë, që duan t’ua mësojnë të tjerëve çfarë kanë mësuar dhe t’ua rrisin nivelin njerëzve me të cilën kanë të bëjnë.
Nën organizimin e Fondacionit ALSAR, takimet u dhanë mundësi të pranishmëve të njihen me autorin dhe t’i dëgjojnë nga afër idetë e parashtrimet e mirëmenduara mbi predikimin e Islamit.