Në gjithë këto vite në komunën e Haraçinës janë bërë shumë padrejtësi. Kështu deklaroi kandidatja e LSDM-së për komunën e Haraçinës, Milikie Haliti, në emisionin “Studio e hapur” në TV SHENJA. Ajo tha se problemin e parë të cilin do ta kishte zgjedhur në komunë e Haraçinës është ujësjellësi.
“Isha pardje në fshatin Grushinë mu mbushën sytë me lot për kushtet e tyre të vështira. Shkiur, unë si femër nuk po mundem me përjetu jetën aty, një ekzistencë jo e zakonshme për dallim nga komunat tjera. Thjeshtë mjerim për Haraçinasit dhe komunat përreth”, tha Milikie Aliti nga LSDM.
Nga ana tjetër kandidati i Lëvizjes BESA, tha se në katër vitet e fundit në Komunën e Haraçinës sipas BIRN-it, janë bërë investime vetëm 25 euro për kokë banori. Ai tha se ata do të bëjnë themelimin e organeve komunale të cilët do të merren me përmirësimin e jetës së qytetarëve.
“Përparësi e jona është së pari furnizimi me ujë të pijshëm për të gjithë qytetarët. Momentalisht rrjetin për furnizim me ujë e shfrytëzojnë vetëm 30 për qind të qytetarëve. Fillimisht duhet ta menaxhojmë këtë situatë që tërë popullata e Hara¬çinës të ketë ujë të pijshëm në shtëpitë e tyre”, tha Ali Ismaili nga Lëvizja BESA.
Isen Ramadani nga Aleanca për shqiptarët tha se punën e parë që do ta kishte bërë është largimi i deponisë që e zgjidhë një problem si të fshatarëve të Orllancës, Grushinës por edhe të komunës së Likovës.
“Kam projekt, plan konkret për zgjidhjen e këtij problemi, megjithëse është problem që mund të zgjidhet me një afat shumë të shkurt, të mos them, një muaj apo dy muaj. Fillimisht do të marrë pastrimin e deponisë, pastaj është një vend special në kufij me komunën e Likovës”, tha Isen Ramadani, duke shtuar se ky vend nuk dëmton as banorët e Orllancës, as të Haraçinës e as të Likovës.

