Derisa qytetarët qëndronin mbyllur në shtëpitë e tyre për tu ruajtur nga pandemia e koronavirusit, dikush ka shfrytëzuar rastin për të bërë zgjerime apo ndërtime te reja në breg te liqenit. Punohet pa ndërprerje, betonohet në pak metra nga liqeni, shtohen anekse në objektet ekzistuese e madje edhe ndërtime te reja. Institucionet duket sikur nuk i shohin ato që i shohin gjithë qytetarët, shkruan in7.
Nga Komuna e Strugës nuk iu përgjigjen pyetjeve tona. Kontaktuam edhe me Udhëheqësin e Sektorit të Urbanizmit, Natmir Nexhipi. Edhe ai ishte i pakapshëm dhe nuk iu përgjigj pyetjeve tona. Nga Policia e Strugës, jozyrtarisht mësuam se tashmë janë marrë disa iniciativa, por që janë në procedurë fillestare. Kanë dalë në terren pas paraqitjes nga qytetarë, por ende askush nuk është vënë para drejtësisë.
Objekti më i madh që bie në sy është ai i Hotel Drim-it. Një objekt që ka filluar gjatë verës së vitit të kaluar është përfolur shumë edhe në media, por edhe nga partitë politike. Disa herë është kërkuar llogari nga autoritete lokale, por askush nga Komuna e Strugës deri tani nuk ka dhënë llogari. Në Këshillin e Komunës këshilltari i Aleancës për Shqiptarët, Emin Kupa, disa herë ka kërkuar sqarim, duke pretenduar se objekti është pa leje. Ai madje publikoi një dokument të lëshuar nga Komuna e Strugës, në të cilin shkruhej se për objektin ne fjalë ështe duke u zhvilluar një procedurë për dhenien e lejes për rinovim të objektit. E ndërkohë që punimet vijonin ende pa e marrë lejen. Përkundër kësaj, opozita akuzonte se ky ndërtim nuk ka të bëjë fare me rinovimin, por është objekt krejtësisht i ri dhe shumë më i madh.

“Është absurde. Ndërtohet vazhdimisht pa ndërprerje, ndërkohë që vetë Këshilli i Komunës votoi moratorium për çdo ndërtim shkaku i rrezikut të humbjes së statusit nga UNESCO dhe rekomandimeve nga Qeveria. Merko nuk ka dhënë llogari dhe vazhdimisht fshihet. Punimet tek ky objekt, por edhe në objektet tjera rreth liqenit nuk janë ndërprerë. Përkundrazi, janë intensifikuar e sidomos tani në kohë të pandemisë. Këtë e shohin të gjithë, përveç Ramiz Merkos, inspektorëve komunalë, policisë dhe prokurorisë. Është për të ardhur keq”, thotë për in7, Imer Imeri nga Aleanca për Shqiptarët.
Për të mësuar më shumë rreth objektit tek Hotel Drim-i, shkuam ne vendngjarje. Kontaktuam me Drejtorin Teknik të hotelit, Pero Meçkaroski, i cili nuk deshi të prononcohet. Shkurtimisht na tha se kanë leje dhe e kanë angazhuar avokatin të merret me këtë punë. Deklaratë, tha, nuk mund të jap unë. Për objektin në fjalë, mësuam se ka pasur denoncim në polici. Policia ka kërkuar informacione të detajuar nga ana e Inspektorit të Ndërtimit në Komunën e Strugës. Por kjo ka ndodhur para më shumë se tre muaj, ndërsa nuk kemi dijeni se deri ku ka shkuar kjo procedurë.
Për vite me radhë ndërtimet në bregun e liqenit kanë qënë temë kryesore në media dhe ndër qytetarë, sidomos gjatë muajve të pranverës, atëherë kur bëhen parapërgatitjet për sezonin veror. Kreu i Komunës sëStrugës, Ramiz Merko vazhdimisht këmbëngul se në Strugë nuk ka ndërtime pa leje, por pamjet flasin ndryshe. Koncesionet e shumicës së plazheve nuk janë aktive, është votuar moratorium për çdo ndërtim dhe aktivitet ndërtimor, por sërish ndërtohet. A janë me leje apo pa leje, askush nuk e dëshmon me fakte. /in7.tv/



