6 September 2018 / 18:35
Pa referendum të suksesshëm nuk do të ketë anëtarësim të vendit në NATO dhe BE. Sekretari i përgjithshëm i Aleancës Stoltenberg përcolli këtë mesazh drejt qytetarëve pas takimeve me krerët e shtetit. Ai tha se pavarësisht se NATO-ja e ka hapur derën që vendi të bëhet anëtarja e 30-të, vendimi historik iu takon qytetarëve, duke kërkuar të mbështesin referendumin e 30 shtatorit. Stoltenberg tha se është iluzion të thuash se je pro anëtarësimit të vendit në NATO dhe BE, por kundër marrëveshjes.
Kjo është një mundësi historike për këtë shtet, është mundësi e kalibrit një herë në jetë për tu bërë pjesë e komuniteti ndërkombëtar, për tu bërë anëtare e NATO-s, për tu bërë anëtare BE-së, por për të arritur këtu, ju duhet ta përmbushni marrëveshjen për emrin. Nuk ka rrugë tjetër, nuk ka rrugë alternative për në NATO, unë e them këtë sepse unë e kuptoj se njerëzit në këtë shtet kanë një dëshirë apo një alternativë abstrakte që t’i thonë jo marrëveshjes dhe po anëtarësimit në NATO, por kjo alternativë nuk ekziston. Nuk ka asnjë mundësi që të anëtarësoheni në NATO pa marrëveshjen e emrit. Pra, ju ose mund t’i thoni PO marrëveshjes dhe PO NATO-s, ose JO marrëveshjes por po ashtu t’i thoni JO edhe anëtarësimit- deklaroi Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.
Kryeministri Zaev u shpreh optimist për referendum të suksesshëm në këtë siç e quajti ai udhëkryq historik për të ardhmen e vendit.
Jam i bindur se referendumi do të jetë i suksesshëm dhe se pas saj do të mund të vazhdojmë me ndryshimet kushtetuese, pa vonesa. Pres që procesi ta përfundojmë në kohë, që të mund protokolli për hyrje në NATO të nënshkruhet në fillim të vitit 2019, që të mundet vendet anëtare në NATO ta fillojnë procesin e ratifikimit. Me padurim, presim që ta merrni vendin e merituar në NATO dhe plotësisht ta shfaqim peshën dhe përgjegjësinë në aleancë. Rezultatet e anketave të opinioneve publike janë të mira, qytetarët tanë duan që të zgjidhet çështja e emrit dhe vendi të bëhet anëtare e NATO-s dhe BE-së. 75-80 për qind e mbështesin anëtarësimin në NATO dhe BE, kjo na jep optimizëm se jemi në rrugën e vërtetë- tha Zoran Zaev.
Zaev e Stolltenberg thanë se nga marrëveshja për emrin, pos dy vendeve, përfiton i tërë rajoni.
Anesa Aliti


