Në prag të kongresit të LSDM-së në qershor ku do të zgjidhet kryetari i ri dhe udhëheqësia e re, për shkak të rezultateve të dobëta në zgjedhje, parashtrohet pyetja se kush ishte fajtor për rezultatin e tillë i cili ishte më i keqi në historinë e kësaj partie. Pasi që dje Kovaçevski akuzoi një pjesë të ish anëtarëve dhe funksionarë të lartë, Oliver Spasovski një pjesë të fajit ia hodhi partnerit të deritanishëm në Qeveri, BDI-së.
“Asnjëherë nuk dua që fajin t’ia hedh të tjerëve. Unë thash se një prej arsyeve për krijimin e përshtypjes negative në opinion, janë disa vendime të caktuara, mënyra e sjelljes së BDI-së. Tani pse është krijuar përshtypje e tillë, kësaj pyetjeje duhet t’i përgjigjemi ne e jo BDI-ja.
Po, andaj po ju pyes…
Po, jo BDI-ja. Këtë dua ta them. Nuk duhet askush të na përgjigjet për pyetje të caktuara, ne duhet të përgjigjemi”, tha Oliver Spasovski, deputet dhe ish minister.
Spasovski thotë se në opinion është krijuar përshtypje se LSDM i ka dhënë gjithçka BDI-së nga ajo që ka kërkuar, por bashkëpunimi ka qenë tërësisht tjetër.
“Ky është perceptimi, ky është perceptimi që krijohet në opinion.
-Por sigurisht jo pa arsye, apo….
-Do të shohim nëse është me arsye apo jo, sepse krijimi i një perceptimi të tillë nga të gjithë, nga subjekte politike, organizata joqeveritare, individë, media etj., krijohet perceptimi. Fatkeqësisht politika në vend të parë është perceptim, pa dallim se çfarë do të shihni në esencën e vendimeve që i sillni”.
Spasovski u lavdërua se qeveria e kaluar ka bërë shumë për luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Për presidenten Davkova tha se është hipokrite, duke marrë parasysh se nuk e përdor përcaktimin E Veriut, por e nënshkroi dekretin me emrin kushtetues.
Në lidhje me këtë nëse dikush nga LSDM mund të kalojë te shumica parlamentare, Spasovski tha se është i bindur se në LSDM nuk ka deputet që do ta përkrahë shumicën aktuale