Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi është pyetur për vrasjen e policit Saimir Hoxha ditën e djeshme në Lezhë, ndërsa ka deklaruar se sot do të përcillet polici si dëshmor atdheu teksa theksoi se SHÇBA po bën punën e saj.
“Policia e ka bërë të qartë edhe operacionin për të cilin forcat e policisë ishin dje në të ngjarje për fat të keq tragjike. Kështu që besoj se në drejtorinë e policisë do të merrni informacionin për atë situatë”, tha ministri.
Ai theksoi se ky vit do të jetë ndër më të suksesshmit në luftën kundër kanabisit në Shqipëri pasi deri më tani ka arritur majat.
“SHÇBA bën punën e saj para ligjit, mos merruni me këtë çështje, sot do të përcjellim Dëshmorin e Atdheut.
E keni gabim, statistika ka, botohen çdo muaj. Kemi statistikat që publikohen periodikisht bashkë me partnerët tanë. Lufta kundër fenomenit të kultivimit të kanabisit ka shënuar majën, e tregojnë shumë këtë.
Së pari numri i tregtarëve e parcelave të asgjësuara, e dyta presioni që është ngritur dhe nga trafikantët në lidhje me mungesën në treg të këtij produkti narkotik, janë dhe të dhëna, asnjë gomone e kapur në Itali, sivjet, të kapur me kanabis, nga forcat italiane, vetëm ne e kemi kapur. Rritja e çmimit po ashtu. Ky fenomen është zvogëluar, dhe besoj do të jetë një ndër vitet më të suksesshëm të luftës ndaj trafikut e luftës kundër kanabisit.’’- tha Çuçi.



