Këshilli Bashkiak i Selenicës u mblodh sot për t’i thënë në unison “Jo” kryeministrit Edi Rama për shkrirjen e kësaj bashkie dhe bashkimin e saj me Vlorën. Duke mos fshehur indinjatën dhe as sikletin në të cilën Rama i ka vendosur pak ditë më parë, mes të nxehtit të korrikut, Kryetari i Bashkisë Selenicë, Nertil Bellaj solli me argumete dhe hodhi poshtë propagandën e qeverisë mbi të cilën e mbështet kërkesën për shkrirjen e 15 bashkive dhe bashkimin me ato më të mëdha.
Madje ai hodhi poshtë dhe deklaratën e deputetit socialist Ardit Bido i cili pak ditë më parë mori përsipër të fliste në emër të banorëve të Selenicës, duke deklaruar se ata kërkojnë bashkimin e Bashkisë së Selenicës me Bashkinë e Vlorës.
Bellaj tha se bashkia Selenicë ka një performancë të lartë ekonomike. Ajo renditet e 14-ta në Shqipëri për të ardhurat për frymë dhe e 9-ta për përqindjen e shpenzimeve të kthyera në investime komunitare si rrugë, shkolla dhe infrastruktura bujqësore.
Një tjetër e dhënë befasuese është niveli i ulët i borxhit publik, i cili raportohet të jetë vetëm 3.6%. Për më tepër, të ardhurat e bashkisë janë katërfishuar midis viteve 2015 dhe 2025 përmes diversitetit ekonomik dhe pa aplikuar asnjë rritje të barrës fiskale ndaj qytetarëve. Paralelisht me financat, theksi u vendos edhe te kapacitetet njerëzore të institucionit. Selenica aktualisht operon me një staf të përgatitur prej 16 inxhinierësh dhe specialistësh të fushave të ndryshme, një ekip që ka arritur të fitojë rishtazi katër projekte të reja, përfshirë një fond të rëndësishëm nga Bashkimi Europian.
Në argumentimin kundër bashkimit, u theksuan edhe diferencat thelbësore gjeografike dhe ekonomike. Me një shtrirje prej 561 kilometrash katrorë, Selenica përfaqëson një bashki tipike rurale që funksionon mbi bazën e bujqësisë dhe blegtorisë, duke u dalluar qartë nga profili bregdetar dhe turistik i Vlorës. Për të faktuar rrezikun e asimilimit të zonave rurale, u mor si shembull bashkimi i fshatit Llakatund me Vlorën në vitin 2014, i cili, sipas krahasimeve të bëra, sot paraqitet shumë më pak i zhvilluar se fshatrat fqinjë që mbetën nën administrimin e Selenicës.
Pavarësia administrative kërkohet ekskluzivisht për të ruajtur fokusin bujqësor dhe për të garantuar shërbime të drejtpërdrejta për fermerët dhe banorët e këtij komuniteti fisnik.
Fjala e Nertil Bellaj
“ Ashtu si ju edhe unë, nëpërmjet televizorit ditët e fundit të korrikut dhe ditët e para të gushtit u njohëm me draftin e komisionit të reformës, që bashkia e Selenicës do t’i bashkohet bashkisë Vlorë. Mbas lajmeve, doli dhe një lajm tjetër ku një prej deputetëve duke dalë e duke firmosur, shprehu që kjo kërkesë ka qenë e banorëve, ka qenë e njerëzve që Selenica të bashkohet me Vlorën. Kjo deklaratë na vuri në siklet të gjithëve. Të vendosë edhe mua, besoj edhe ju këshilltarë, po dhe ju kryetarë të fshatrave. Që ne kemi dashur vetë që të shkojmë me Vlorën. Qëndrimi im zyrtar ka qenë para se reforma të bëhej, para se drafti të vijë. Kudo që unë kam pasur mundësi të flas dhe kudo ku unë jam pyetur, dhe në komisionin parlamentar, unë kam shprehur mendimin tim me argumenta pse duhet të qëndrojë bashkia e Selenicës.
Si një detyrim ndaj popullit, si një detyrim ndaj ju këshilltarëve, si një detyrim ndaj dhe ju kryetarëve të fshatrave, unë po e përsëris dhe një herë me fakte atë që e kam përmendur dhe në komisionin parlamentar. Ndër pikat kryesore të reformës ishte kapacitetet financiare të bashkive. Ne renditemi bashkia e 14-të në Shqipëri me të ardhurat e veta për frymë. Renditemi bashkia e 9-të në Shqipëri ku shpenzimet që kryejmë i kemi për investime. Pra ne investojmë te komunitetet tona. Në rrugë, në shkolla, në sheshe, në kanale, atje ku ka nevojë njerëzit, atje ku kanë nevojë banorët.
Ne renditemi bashkia e 29-të për funksionalitet. Nuk renditemi as bashki e 47, as bashki e 61, po renditemi në të tërë komponentët e saj të 29-të.
Ky është një raport i bërë nga komisioni dhe këto shifra që unë ju them janë shifra të komisionit. Borxhi publik i bashkisë Selenicë sot është 3.6%. Renditemi ndër bashkitë me performancë të mirë ekonomike dhe renditemi ndër bashkitë e para në Shqipëri, e para për diversitetin ekonomik. Pra ne nuk kemi varësi nga një sektor.
Po ne kemi varësi nga të gjithë sektorët. Ndryshe nga qytetet e mëdha kur kanë varësi vetëm nga lejet e ndërtimit, ne, unë, ju dhe administrata është munduar që këto katër vjet të shkojë, të punojë, të mbledhë të ardhurat në të gjitha sektorët që ne i taksojmë. Dhe fakti ka treguar që nga viti 2015 e deri në vitin 2025, ne i kemi katërfishuar të ardhurat tona pa rritur asnjë barrë fiskale. Barra fiskale ka qenë e njëjta. Duke i marrë të gjithë këta komponentë që vetë komisioni i ka nxjerrë, dhe unë kam detyrimin moral që t’i them dhe t’ia sqaroj opinionit publik, e bën bashkinë e Selenicës një bashki me performancë të lartë ekonomike.
Komponenti i dytë ka të bëjë me burimet njerëzore. Para disa ditësh, dhe në rrjetet sociale të mia, i kam hedhur me foto. 16 staf, inxhiniero-teknik. Inxhinier, arkitekt, topograf, agronom. Pra, ne renditemi ndër bashkitë që ka një staf. Nuk mund të themi që do krahasohemi me Tiranën, me Durrësin, me Vlorën, por në bashkitë mesatare të Shqipërisë, ne jemi ndër bashkitë që ka një staf të përgatitur. Dhe ku e tregon kjo? Sot në mbledhjen e këshillit, ju keni një ndryshim buxheti. Dhe në ndryshimin e buxhetit keni katër projekte të fituara. Janë katër projekte që ka fituar bashkia e Selenicës, pikërisht nga ky staf. Nga këta njerëz. Keni dhe një projekt të Bashkimit Europian aty në rend dite. Që pikërisht këta njerëz janë munduar dhe kanë fituar dhe një projekt të Bashkimit Europian. Kështu që ne renditemi ndër bashkitë që ka një staf të mirë, një staf që ka dëshirë të punojë, një staf i cili përpiqet për të punuar dhe një staf të përkushtuar për këtë territor.
Kjo bashki ka një territor të gjerë. Renditemi ndër 20 bashkitë në Shqipëri. Kemi 561 kilometra katrorë. Një bashki tipike bujqësore, blegtorale. Një bashki e cila e ka lidhur jetën e saj me bujqësinë, me blegtorinë, me tokën, me vendin. Dhe ne si bashki jemi munduar, jemi munduar që t’i qasemi dhe t’i ndihmojmë sadopak banorët. Ne nuk kemi asgjë me Vlorën. Ne e duam Vlorën. Siç e do gjithë Shqipëria. Ne kemi luftuar për Vlorën më shumë se ata që banojnë sot në Vlorë. Kjo është e vërtetë. Prindërit e, gjyshërit e tanë, të afërmit tanë kanë dhënë gjakun në dy luftëra. Të 20-ës dhe 45-ës. Dhe në çdo fshat tonin ka lapidar. Ai lapidar është bërë dhe për Vlorën dhe për Shqipërinë. Nuk kemi gjë me Vlorën, e duam të lulëzojë Vlora. Por çështja është që nga ajo që ne shikojmë, nga ajo që ne vërejmë, kur në reformën e 2014-ës Vlorës iu bashkuan disa fshatra, ato nuk janë më mirë se ne. Këtë ne e vërejmë. Nuk është më mirë Llakatundi se Armeni. Këtë e dinë njerëzit. Se Llakatundi blen jonxhe e miser në Armen. I bie që fushat e Armenit kanë pasur një vëmendje shumë të lartë. Po ka pasur, sepse ne kemi tipike tipologjinë e bashkisë që do i shërbejë fermerit, bujkut dhe turizmit malor.
Jo se nuk do Vlora, po Vlora mund të ketë një zhvillim tjetër turistik, një zhvillim tjetër bregdetar. Dhe ne ndaj duhet që të qëndrojmë fort në konceptin e një bashkie rurale. Ku dhe vetë qeveria dhe vetë koncepti i këtyre bashkive duhet të financohen në profilin bujqësor dhe blegtoral.
Ky është qëndrimi im me fakte, ky nuk është një qëndrim politik. Ky nuk është një qëndrim për karrigen time. Kjo punë nuk bëhet për mua, jam apo nuk jam. Unë po flas me fakte, të cilat janë pjesë e bashkisë Selenicë.
Dhe në këtë moment që unë u drejtohem juve, drejtohem si një si ju. Ju që më keni besuar, ju që më keni dhënë votën, unë jam i detyruar t’ju tregoj me fakte, me prova, të gjithë punën që ka bërë bashkia e Selenicës. Të gjithë punën që kemi bërë bashkë me ju këshilltarë, bashkë me ju kryetarë fshati, për t’i qëndruar sa më afër, sa më pranë, këtij populli të mrekullueshëm, me njerëz kaq të mirë, kaq fisnikë dhe kaq punëtorë.



