Dita e 76-të e protestës popullore është përmbyllur mbrëmjen e sotme me rikthimin e masës së protestuesve para godinës së Kryeministrisë, pas marshimit të gjatë përgjatë bulevardit kryesor dhe rrugëve të Tiranës.
Pas përshkrimit të aksit kryesor të kryeqytetit me flamuj kuq e zi dhe pankarta me mesazhe të forta, turma e udhëhequr nga rinia dhe pjesëtarët e shumtë të diasporës është rikthyer para godinës së ekzekutivit, ku atmosfera ka arritur kulmin e saj.
Në mbyllje të tubimit të sotëm, protestuesit dhe përfaqësuesit e ardhur nga diaspora lëshuan thirrje të fuqishme për vazhdimësinë e qëndresës qytetare, duke paralajmëruar se nesër pjesëmarrja do të jetë edhe më e madhe.
Me thirrje të njëpasnjëshme për dorëheqjen e kryeministrit dhe për një model të ri politik, protestuesit u shpërndanë paqësisht, duke lënë takimin e radhës ditën e nesërme për të vijuar betejën e tyre popullore.



