Varësisht se cila parti shqiptare ka qenë në pushtet, ka shpallur konkurse për pranim të punonjësve të administratës, por pa u angazhuar për sistemimin e të tjerëve që tashmë janë pranuar. Hezitimi për sistemimin e kësaj kategorie në vende pune ka qenë në vazhdimësi objekt i reagimeve e përplasjeve të ndryshme politike.
Janë rreth 1600 administratorëve shqiptarë, të punësuar në bazë të Marrëveshjes së Ohrit, që pritet të sistemohen. Për shkak të neglizhencës së institucioneve, sistemimi i tyre ka ngecur. Por, nuk mohohet fakti, që nuk janë pranuar edhe përshkak të stëngarkimit të administratës, me punëtorë. Por, shumë administrator pohojnë se mund të jetë edhe problemi i natyrave etnike. Profesoresha Universitare Besa Kadriu mendon se sythi i problemeve në RM, është e kaluara historike, pra konflikti i vitit 2001, por se të drejtat e shqiptarëve arritën edhe me ndihmën e faktorit ndërkombëtar. Ajo shton se inkuadrimi në konkursin për administrator, të bazuar në MO, kishte qëllim politik. Damjan Mançevski, ministër i Shoqërisë informatike dhe Administratës Publike, thotë se bëhet fjalë për një problem jo pak të ndërlikuar.
“Për ta gjetur gjenezën e shumë problemeve, të cilat ekzistojnë në Maqedoni, s’do mend se do të duhej t’i referohemi një të kaluare të hidhur, jo më larg se konflikti i vitit 2001.
Si rezultat i këtyre pakënaqësive të mëdha, me ndikimin e faktorit ndërkombëtar, Marrëveshja e Ohrit, të paktën në pikëpamje përmbajtësore, arriti të përfshijë disa kërkesa imanente të pozitës së shqiptarëve në Maqedoni. Krahas aspekteve të tjera, të lidhura me zyrtarizimin e gjuhës në dikastere institucionale, përdorimin e simboleve, edhe çështja e përfaqësimit etnik në organet shtetërore, pati një rëndësi të jashtëzakonshme.
Sado që jemi të bindur për ngecjen e këtyre proceseve politike dhe mosfunksionimin e shtetit të drejtë që do t’i vendoste këto forma ligjore në zbatim praktik, akoma sot, shumë çështje, gjenerojnë të tjera probleme të natyrave të ndryshme.
Sistemimi i 1600 administratorëve, të punësuarve në administratën shtetërore, u përdor për qëllime politike, sadoqë, kjo shtyllë e të punësuarve në administratën shtetërore nuk duheshte të ishte e këtij niveli të theksuar, të ndikimit të skajshëm të politikës brenda një vendi”, tha Besa Kadriu, profesoreshë në fakultetin Administrimi Publik dhe Shkencat Politike, për Almakos.
Kadriu shton se administratorët e punësuar, por jo të inkuadruar në administratë, praqesin një problem të madh, ku ata mbeten kategoria e margjinalizuar, por edhe jashtë procesit të punës administrative. Prandaj, politika duhet të gjej një strategji adekuate.
“Duket shumë e thjeshtë, por në fakt paraqet një nga problemet qenësore, brenda një shteti dhe brenda një shoqërie. Vetë autritetet shtetërore, në pamundësi për të krijuar vende të punës të reja dhe të gjejnë zgjidhjen e duhur, për zvogëlimin e numrit të të papunëve në nivel shtetëror; U gjend këtu hapsira për të bërë “punësime të reja” ( sa për sy e faqe), dhe për të bërë edhe një hap të gabuar të rradhës.
Këto punësime, lëre që nuk pati efektin e duhur, por, edhe sot, kjo kategorie njerëzish ngelen jashta konturave të sistemit, të margjinalizuar dhe të nëpërkëmbur, po nga ky sistem dhe ky shtet.
Në fakt ky element, në mungesë të një strategjie politike të mirëfilltë, hapi edhe një tjetër dilemë rreth kuadrove profesionale, të cilat krijohen në suaza të sistemit të lartë të edukimit”, tha Kadriu, për Almakos.
Kadriu, jep shembull se si në Univeristetin ku vepron, punohet në këtë aspekt, për avancimin e kuadrave profesionale, që të mundet të inkuadrohen në çdo institucion, pa ndikimin e politikës, sepse vendi aspiron të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.
“Në Universitetin e Evropës Jug Lindore, fakulteti i Administrimit Publik, që për një kohë të gjatë, nga momenti i themelimit të tij, ka bërë hapa të sigurtë, për të kontribuar në drejtim të ngritjes së kuadrove profesionale, të cilat pa ndikimin e politikës, por në frymën e profesionalizmit do t’i shërbejnë shoqërisë së këtij vendi, që nuk arritën në të shumtën e rasteve të gjejnë pozicione të duhura edhe pas diplomimit të tyre.
Të këtilla apetite kanë edhe më tej, sepse nuk mbrojnë një vlerë që është në ndërtim e sipër rreth krijimit të kuadrove cilësore, por vazhdojnë edhe garniturat e reja, të jenë vazalë të politikës së vjetër, sado që vendi aspiron të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, por duket aq paradoksale saqë, në një shtet multietnik, ata sërish mundohen të hijezojnë pozicionimin dhe rolin e shqiptarëve, në këtë shtet”, tha Kadriu, për Almakos.
Kadriu shton se duke pasur bindjen dhe shpresën që këto procese të lëvizin nga e mbara, konsideron që edhe çështja e sistemimit të administratorëve të ndjehet si detyrim në rradhë të parë i shtetit ndaj qytetarëve të saj, e më pas edhe një detyrim ndaj faktorit ndërkombëtar, nga i cili Maqedonia ka edhe obligime për hir të interesave të ndërsjella.
Damjan Mançevski, ministër i Shoqërisë informatike dhe Administratës Publike, për mediat në vend thotë se bëhet fjalë për një problem jo pak të ndërlikuar që kërkon një analizë më të thellë, duke dhënë sërish premtime për zgjidhjen e shpejtë të çështjes.
“Sa më shpejt që të jetë e mundur do të bëhet sistematizimi i tyre. Po bëjmë gjithçka të mundur që këtyre personave t’u gjejmë angazhim adekuat. Kjo do të realizohet në bazë të analizave përkatëse”, ka deklaruar ministri Mançevski.
Delvina Kërluku
Almakos.com

