Sindikata e Policisë së Maqedonisë ankohet për kushte të papërshtatshme të punës në pothuajse të gjitha njësitë organizative.
Nga kjo sindikatë, mes tjerash, theksojnë se oficerët e policisë kanë uniforma të vjetruara dhe përdorin automjetet që rrezikojnë sigurinë e tyre. Kryetari i Sindikatës, Aco Antovski, kërkon fillimin e dialogut social me autoritetet dhe zgjidhjen e problemeve me të cilat përballen punonjësit e Policisë.
“Fillimi i dialogut social dhe me këtë edhe zgjidhja e kushteve të lartpërmendura duhet të fillojë menjëherë, me cilëndo qeveri të Maqedonisë ose me cilindo ministër të Ministrisë së Brendshme. Sindikata e Policisë, si sindikata më e madhe e policisë në vend, do të jetë partner i barabartë social që do të kontribuojë për të kapërcyer me sukses këtë situatë”,- deklaroi kryetari i Sindikatës së Policisë, Aco Antovski.
Nga Sindikata e Policisë thonë se nëse nuk zgjidhen kërkesat e tyre, ata do të përdorin të gjitha metodat ligjore dhe sindikale për zgjidhjen e problemeve të tyre.

