Institucionet e shëndetit publik përballen me mungesë të kuadrit të nevojshëm, e sidomos vërehet mungesa e infermiereve. Në këto institucione mungon madje gjysma e numrit të nevojshëm të infermierëve. Pagat e ulëta janë faktor kyç për largimin e kuadrove profesionale nga vendi, shprehen infermieret. Brenda një viti, 450 infermiere kanë lënë punën në shëndetësinë publike duke shkuar jashtë vendit, apo duke kaluar në klinikat private, e një numër i konsiderueshëm kanë dalë në pension. Ato thonë se gjatë pandemisë, ishin në vijën e parë, morën duartrokitje, lëvdata dhe premtime, por edhe sot akoma janë në pritje të rritjes së pagave dhe kushteve dinjitoze për punë.
“Të ardhurat duhet të rriten në bazë të përgjegjësive përkatëse. Unë do t’u a them një të dhënë, nuk ekziston në asnjë vend në rajon që profesioni i infermieres të paguhet me rrogë të përafërt me pagën minimale në vend, sikurse tek ne. Në Serbi, kolegët tanë paguhen me një rrogë e gjysmë më shumë se përqindja e pagës minimale atje, mos të flasim për Bosnjën, që pagat atje janë dyfishi i rrogës minimale. Kjo tek ne është e turpshme më të flitet e të përflitet.”, – deklaroi kryetarja e Sindikatës së infermierëve, Gordana Beslioska.
Ankohen edhe stomatologët, të cilët kërkojnë kthimin e infermierëve në stomatologji, pasi mungesa e tyre është e madhe, sepse brezi i fundit ishte 20 vjet më parë.
“Patjetër ta kthejmë kuadrin e mesëm, profilin e infermierëve të stomatologjisë, ashtu siç i kthyen akusheret, atë e kërkojmë edhe ne, që të mundet në të ardhmen të kemi kuadër cilësor, i cili do të funksionojë siç duhet.”. – theksoi koordinatorja e infermiereve stomatologe, Hamide Latifi.
Në Agjencinë për Punësim nga kuadri i infermiereve janë të regjistruar si të papunë rreth 2.000 persona, por 1.500 prej tyre janë të angazhuar me vite me kontratë dhe punojnë si honorarë për 12.000 denarë. Diferenca në pagë mes infermierëve me arsim të lartë dhe të mesëm është 7.000 denarë, edhe pse ata kanë të njëjtat përgjegjësi.