Një person është arrestuar ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim në lidhje me ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në Balldren të Vjetër në Lezhë, ku pati një shpërthim me lëndë plasëse në një sipërfaqe toke të anëtarëve të fisit Nikulaj.
Në pranga u vu 55-vjeçari Astrit Avdiaj, ndërsa është shpallur në kërkim Ermal Zalla. Policia thotë se po vijon hetimet për të sqaruar dhe dokumentuar motivin e kësaj ngjarjeje.
Nuk dihet ende motivi i saktë, por ngjarja rikthen në vëmendje konfliktin e vjetër mes familjeve Nikulaj dhe Lekstakaj, një hasmëri që prej dekadash ka lënë pas një seri përplasjesh të përgjakshme në zonën e Lezhës.
Vëmendja ndaj këtij konflikti u rikthye pas ekzekutimit të biznesmenit Ardian Nikulaj më 19 prill 2023 në biznesin e tij në Shëngjin. Pak muaj më parë, Gjykata e Lezhës dënoi me burgim të përjetshëm Ruben Saraivën duke e shpallur fajtor për vrasjen e Nikulajt.
Njoftimi i policise:
Lezhë/Vijojnë hetimet dhe veprimet operacionale, me qëllim nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të ngjarjes së ndodhur dje, në fshatin Balldren i Vjetër.
Vihet në pranga njëri nga autorët e shpërthimit të lëndës plasëse.
Identifikohet dhe shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga grupi i posaçëm nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, për identifikimin dhe kapjen e autorëve të ngjarjes së datës 10.06.2026, në fshatin Balldren i Vjetër, ku në një sipërfaqe toke shpërtheu një sasi e lëndës plasëse (pa shkaktuar dëme), specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. A., 55 vjeç, banues në Tiranë.
Po në vijim të veprimeve u bë e mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e bashkëpunëtorit të tij, shtetasit E. Z., 35 vjeç, banues në Krujë dhe vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Ndërkohë, vijon hetimi për të sqaruar dhe dokumentuar motivin e kësaj ngjarjeje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.


