Edicioni i 140-të i Panairit të Importit dhe Eksportit të Kinës (Panairi i Kantonit) u hap të enjten në qytetin Guangzhou të Kinës Jugore. Ky vit shënon 70-vjetorin e Panairit të Kantonit, i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm në nxitjen e tregtisë midis Kinës dhe vendeve të tjera.
Për herë të parë, Panairi i Kantonit i këtij viti ka integruar thellësisht teknologji të avancuara si inteligjenca artificiale (AI) dhe të dhënat e mëdha në çdo fazë të aktivitetit, duke prezantuar 22 skenarë aplikimi inteligjent dhe 16 funksione të mundësuara nga inteligjenca artificiale. Për shembull, ekspozuesit dhe blerësit mund të shkëmbejnë karta biznesi digjitale, duke skanuar kode QR. Inteligjenca artificiale mund të gjenerojë automatikisht përmbledhje të negociatave të biznesit, ndërsa sistemi mund të arkivojë automatikisht informacionin e klientëve dhe të identifikojë porositë me potencial të lartë. Në këtë kontekst, 84.1% e pjesëmarrësve besojnë se Panairi i Kantonit po evoluon nga një platformë tradicionale tregtare në një platformë ekspozimi dhe shërbimesh inteligjente.
Panairi i këtij viti ka prezantuar, për herë të parë, një zonë të dedikuar për ekspozimin e produkteve të reja. Pritet të zhvillohen mbi 700 aktivitete përkatëse, një rritje prej 15% në krahasim me edicionin e kaluar. Ndërkohë, numri i produkteve të reja në industri të së ardhmes – si robotika e shërbimeve, kujdesi shëndetësor inteligjent, prodhimi inteligjent dhe energjia e re – pritet të rritet me rreth 20% .Në Panairin e sivjetshëm janë krijuar nëntë zona të dedikuara për shërbimet tregtare, duke mbuluar për herë të parë të 10 kategoritë kryesore të shërbimeve të prodhuesve dhe duke u ofruar bizneseve mbështetje të plotë gjatë ciklit jetësor kur zgjerohen në tregjet e huaja





