Një shpërthim ka ndodhur te zyrat e reja të Postës së Kosovës në Zveçan, në minutat e parë të së martës, ka konfirmuar Policia e Kosovës.
Për fat të mirë nga shpërthimi nuk ka pasur të lënduar, ndërsa ka dëme materiale.
“Kemi informacion për një detonim që është dëgjuar te ndërtesa e postës në Zveçan rreth orës 00:30”, ka njoftuar zëvendëskomandanti i Policisë në veri, Veton Elshani, pas mesnatës.
Ai ka thënë se nuk është raportuar për të lënduar.
Ndërkaq, siç ka shkruar media lokale në gjuhën serbe, “kossev.info” objektit i janë thyer xhamat.
Media serbe ka raportuar se dhjetëra policë kanë qëndruar në vend të ngjarjes, bashkë me ekipet e deminimit.
Këto ekipe kanë kryer shpërthim të kontrolluar të një pajisjeje tjetër eksploduese, të hedhur brenda objektit.
Në këtë ndërtesë ishte vendosur shenja e Postës së Kosovës vetëm pak ditë më parë.
Deri në mbylljen nga autoritetet e Kosovës vitin e kaluar, në atë vend operonte Banka e Kursimeve Postare serbe.