VMRO-DPMNE njoftoi se Komisioni Evropian e ka renditur edhe një herë Maqedoninë mes vendeve që po bëjnë përparimin më të madh në zbatimin e reformave, së bashku me Shqipërinë dhe Malin e Zi.
Sipas partisë, ky vlerësim tregon se vendi po ecën në drejtimin e duhur dhe se reformat e ndërmarra po japin rezultate.
VMRO-DPMNE thekson gjithashtu se propozimi i Komisionit Evropian për rialokimin e fondeve nga Plani i Rritjes është një tjetër dëshmi e këtij progresi. Sipas partisë, kjo mund t’i sjellë Maqedonisë më shumë mjete financiare për zhvillim.
Në deklaratë, VMRO-DPMNE akuzon LSDM-në dhe E Majtën se po bllokojnë miratimin e ligjeve që lidhen me Axhendën e Reformave.
Partia u bën thirrje të dyja partive opozitare të mbështesin ligjet, përfshirë edhe Kodin Zgjedhor, duke vlerësuar se ato janë në interes të qytetarëve dhe të procesit të integrimit evropian të vendit.


