Për herë të parë në vend, mjekët në Klinikën e Ortopedisë kryen një operacion me ndihmën e një roboti. Ndërhyrja u bë në artrozën e gjurit me ndryshime degjenerative tek një grua 70 vjeçare. E me patologji të tillë në vendin tonë operohen diku 200 deri 300 pacientë në nivel vjetor.
Drejtori i Klinikës për traumatologji, sëmundje ortopedike, anestezisë, reanimim, mjekim intensiv dhe qendrës urgjente Aleksandar Trajanovski tha se po shkruajnë histori, pasi që nuk është gjë e vogël operimi me ndihmën e një roboti.
“Kjo është një procedurë e re e cila mundëson ndihmë nga roboti me çka minimalizohet çfarëdolloj mundësie për komplikime në aspektin e asaj se deri tash gjithçka ka bërë kirurgu, pra matjet, këndin, ndërsa tani këtë e bën roboti. Roboti është asistent i kirurgut”, tha Aleksandar Trajanovski, drejtor i Klinikës TOARKIQE.
Roboti i shfrytëzuar është marrë hua nga Greqia, por edhe ndërhyrja është kryer në bashkëpunim me mjekët e Spitalit Ortopedik të Larisës në Greqi.
“Ofron mundësinë që pacientëve tuaj t’u jepni shërbimet më të mira shëndetësore ashtu siç i meritojnë. Globalisht robotika është e tashmja dhe e ardhmja dhe do të shihni se sot është hap i shumë i madh për sistemin shëndetësor”, thonë nga spitali ortopedik i Larsisës, Greqi.
Ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti tha se asistenca e robotit kontribuon në një përqindje të madhe në suksesin e vetë procedurës dhe zvogëlon komplikimet e mundshme. Por a do të mundet që edhe vendi ynë të blejë një robot të tillë? Mexhiti mbështet idenë e tillë, por u shpreh se do të bëhen analizat e duhura dhe mbi baza të analizave do të vendoset.
“Absolutisht do të jemi mbështetje për gjithçka dhe për gjitha të rejat. Edhe si neurolog, atë që e tha kolegu e kemi të përbashkët. Me këtë robotikë mundësitë që të ketë infeksion edhe brenda spitalit edhe pas operacionin përqindja ulet në një numër të madh”, pohoi Fatmir Mexhiti, ministër i Shëndetësisë.
Ky lloj intervenimi me ndihmën e robotit për herë të parë u realizua në Ortopedi ndërsa roboti zvogëlon edhe orën e operimit në 40 minuta.