Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, është hapur ekspozitë ornamenti, i quajtur ndryshe edhe si “Zerefshan”, raporton Anadolu Agency (AA).
Nën organizim të Shoqatës së Organizatave Joqeveritare Turke në Maqedoni (MATÜSİTEB), me mbështetje të Turkish Airlines, Institutit Yunus Emre – Shkup dhe Bushi Hotel, ceremonia e hapjes së ekspozitës u zhvillua në Kurshumli An.
Në ceremoni morën pjesë Kryetari i Komunës së Shkupit, Petre Shilegov, deputeti në Kuvedin e Maqedonisë së Veriut Enes Ibrahim, kryetari i Lëvizjes së Unitetit Kombëtar Turk (TMBH), Erdoğan Saraç, përfaqësues të institucioneve turke në vend dhe të ftuar të tjerë.
Kreu i MATÜSİTEB, Hüsrev Emin në deklaratën e tij për gazetarët, tha se arti Zerefshan i cili konsiderohet si mbreti i kaligrafisë, po ekzekutohet në mënyrë më aktive dhe të gjallë në Stamboll dhe Sarajevë, prandaj kanë zhvilluar punime për të organizuar një ekspozitë të tillë.
Ai njoftoi se në ekspozitë do të shfaqen vepra të artisteve nga Turqia dhe Bosnjë e Hercegovina.
Nga ana e tij, kryetari i komunës së Shkupit Shilegov, theksoi se “ngjarja e sotme është dëshmi se nuk ka dallim etnik mes nesh”.
Sipas tij, pasuria e Shkupit është një pasuri e traditës së saj, historisë, së tashmes dhe një pasuri e së ardhmes së saj.
“Të shijojmë bukuritë që paraardhësit tanë me aq urtësi dhe mençuri lanë në trashëgiminë e brezave të sotëm. Le të jemi të zgjuar, ne që jemi këtu sot për t’ua lënë trashëgiminë brezave të ardhshëm”, tha ai.
Një nga artistet, Sümeyra Göl, tregoi se në Turqi bashkë me shoqet e saj kanë hapur një kurs për këtë lloj të artit.
Duke treguar se vitin e kaluar një ekspozitë të njëjtë kanë hapur edhe në Sarajevë, shprehu se ndjehen krenarë që kanë sjellë artin e ornamentimit në Ballkan.
Në kuadër të programit, Ligjëruesi në Universitetin Shtetëror të Tetovës, Prof. Dr. Metin Izeti, u shpjegoi rëndësinë e “Zerefshan”-it për të pranishmit, ndërsa artisti shkupjan Cengiz Ibrahim ofroi interpretim të muzikës tradicionale turke me instrumentin kanun. Të ftuarit patën mundësi t’i shikojnë nga afër veprat.
Ekspozita me veprat e artisteve Sümeyra Göl, Şeyma Osmanlı Şaban, Esra Aslan Şenol, Züleyha Altundağ, Ümmügülsüm Kurbetoğlu, Derya Aydemir dhe Sevdenur Şener do të qëndroj hapur deri mi 10 shtator.