Detaje të reja janë zbardhur lidhur me operacionin për arrestimin e Roven Zekës, shefit të Qarkullimit Rrugor në Tiranë, i cili është vënë në pranga pas një urdhër-arresti të lëshuar nga SPAK. Sipas gazetares Klodiana Lala, operacioni është kryer nga punonjësit e AMP-së dhe BKH-së, të cilët kishin për detyrë të ekzekutonin urdhër-arrestin për Zekën.
Burime të siguruara bëjnë me dije se Roven Zeka nuk ka pranuar arrestimin dhe ka tentuar të largohet me vrap, por është ndaluar menjëherë nga agjentët e AMP-së, të cilët e kapën dhe e çuan në drejtorinë e policisë.
Gjithashtu, SPAK ka lëshuar urdhër-arrest për dy zyrtarë të tjerë, Sokol Novaku, shefi i sektorit të Aksidenteve, si dhe për Edison Tabakun, Oficerin e Policisë Gjyqësore. Të gjithë ata akuzohen për korrupsion, pasi dyshohet se kanë marrë para nga një grua lidhur me një aksident, për të ndihmuar në mbulimin e ngjarjes.