Një ekip shkencëtarësh nga Universiteti i Majamit, në bashkëpunim me dy profesorë nga Instituti i Teknologjisë i Gjeorgjisë dhe Universiteti i Roçesterit, kanë zhvilluar një lloj të ri molekule që mund të revolucionarizojë industrinë e prodhimit të çipave duke zëvendësuar silikonin ose metalin, të cilat aktualisht janë lëndë të para integrale në prodhimin e çipave kompjuterikë.
Studiuesit kanë ndarë “ajo që ata besojnë se është molekula organike më e përçueshme elektrike në botë”, sipas një deklarate të lëshuar nga universiteti.
Studimi sinjalizon një mundësi të re të prodhimit të pajisjeve kompjuterike më të vogla, më të fuqishme, të cilat përbëhen nga elementë kimikë që gjenden në natyrë – kryesisht karboni, squfuri dhe azoti.
Bëhet e ditur se gjatë pesë dekadave të fundit, numri i transistorëve në një çip është dyfishuar vazhdimisht afërsisht çdo dy vjet.
Megjithatë, ndërsa elektronika me bazë silikoni i afrohet kufijve të saj fizikë, miniaturizimi i mëtejshëm duke përdorur teknologjitë tradicionale po bëhet gjithnjë e më i vështirë.
Kjo ishte një sfidë që Kun Wang, një fizikant në Universitetin e Majamit dhe ekipi i tij synonin ta zgjidhnin, shkruajnë mediat e huaja.
Studiuesit shikuan se si të përdorin strukturat e vogla molekulare për të përcjellë energjinë elektrike.
“Deri më tani, nuk ka asnjë material molekular që lejon elektronet të kalojnë nëpër të pa humbje të konsiderueshme të përçueshmërisë. Kjo punë është demonstrimi i parë që molekulat organike mund të lejojnë elektronet të migrojnë nëpër të pa ndonjë humbje energjie mbi disa dhjetëra nanometra”, shpjegoi Wang.
Sipas tij, molekulat e ekipit janë të qëndrueshme në kushte normale, të përditshme dhe japin përçueshmërinë elektrike më të lartë të njohur përgjatë gjatësive molekulare që më parë konsideroheshin jopraktike.
Ky zbulim mund të hapë rrugën që pajisjet klasike kompjuterike të bëhen jo vetëm më të vogla dhe më efikase ndaj energjisë, por edhe më të përballueshme për t’u prodhuar.
Në shumicën e rasteve, aftësia e një molekule për të përcjellë elektrone bie ndjeshëm ndërsa madhësia e saj rritet.
Por “telat” molekularë të sapo zhvilluar kundërshtojnë këtë prirje, duke vepruar si rrugë thelbësore për transferimin, përpunimin dhe ruajtjen e informacionit në gjeneratën e ardhshme të informatikës.
Ky efikasitet i jashtëzakonshëm jo vetëm që ka potencialin për të tkurrur pajisjet elektronike të ardhshme, por gjithashtu hap derën për funksione krejtësisht të reja që materialet me bazë silikoni nuk mund t’i arrijnë.
Përveç kësaj, materialet e nevojshme për të krijuar molekulën nuk janë të shtrenjta dhe mund të sintetizohen në një laborator.