2 muaj pasi në opinion doli një fotografi ku ai pozon me një ari të vrarë, Sasho Drango është shkarkuar nga posti i zëvendësdrejtorit të “Rrugët e Maqedonisë”. Në vend të tij është emëruar Aleksandar Shukovski, ekonomist nga Resnja.
Më 2 janar, organizata joqeveritare për mbrojtjen e kafshëve “Anima Mundi” publikoi një fotografi ku Drango pozon me një ari të vrarë. Në fotografi, e cila mendohet të jetë nga dhjetori i vitit 2024, Drango mban një pushkë me teleskop, gjë për të cilën organizata e akuzoi se ai e kishte qëlluar arin, një specie e mbrojtur.
Drango, i cili është edhe kryetar i Unionit të Veteranëve të VMRO-DPMNE në Demir Hisar, deklaroi për mediat se ariu me të cilin ai pozon në fotografi ishte vrarë në një aksident trafiku në rrugën Manastir-Resnjë. Sipas tij, punonjësit e “Rrugët e Maqedonisë” e kishin larguar trupin nga rruga dhe ai ishte fotografuar me të. Ai pretendoi se ekziston një procesverbal policor për aksidentin, por policia e Manastirit mohoi që në dhjetorin e kaluar të ishte raportuar një rast i tillë.
Prokuroria Themelore Publike (PTHP) në Manastir hapi një rast kundër Drangos pas raportimeve në media dhe hetimi është ende në vazhdim. Ai pritet të merret në pyetje ditët në vijim.
Kryeministri Hristijan Mickoski më 7 janar deklaroi se Drango do të shkarkohej menjëherë dhe do të mbahej përgjegjës nëse vërtetohet se ai e ka qëlluar arin.