Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshovski ka shkakruar shefin e Sektorit të njësisë kufitare Veri, Naim Ramuka, ndërsa në vend të tij ka emëruar Maja Temelkova Sotirova, kuadër e VMRO-DPMNE-së, thonë për gazeta KOHA burime jozyrtare të MPB.
Vendimi për shkarkimin e Ramukës është sjellë dje, ndërsa sot Temelkova Sotirova ka nis me punë në detyrën e re.
Arsyetimi për shkarkimin e Ramukës, siç merr vesh gazeta KOHA, janë akuzat ndaj tij nga LSDM se i njëjti i mundësoi largimin ish-ushtarit të UÇKosovës, Blerim Ramadani dhe ndikimin e tij në skandalin në kufirin e Bllacës me krushqit e dasmës të kryesuar nga kryeparlamentari Afrim Gashi, gjegjësisht kalimin e kufitit pa i evidentuar dasmorët.
Edhe para disa ditësh, vet Kontrolli i Brendshëm i MPB-së dënoi Ramukën dhe katër punonjës tjerë të pikës kufitare Bllacë, pas hetimeve se të njëjtit i kanë tejkaluar detyrat zyrtare në rastin që policia e ka evidentuar si “Dasma”.
Ndryshe, me këtë rrokadë ka nis edhe implementimi i marrëveshjes verbale midis VMRO-së dhe VLEN-it, marrëveshje kjo që, siç merr vesh gazeta KOHA, parasheh që, nëse një zyrtar i VLEN-it keqpërdor detyrën zyrtare ose kapet me korrupsion, i njëjti shkarkohet dhe ajo pozitë i takon partnerit të koalicionit.
Konkretisht, nëse një zyrtar i VLEN-it shkarkohet, në të njëjtën pozitë nuk mund të emërohet kuadër i VLEN-it, por vendi i kalon VMRO-së dhe anasjelltas. Nëse VLEN-i kap ndonjë zyrtar të VMRO-së, atëherë ajo pozitë i takon partnerit shqiptar në koalicionin qeverisës. (koha.mk)