Jurgen Duka (Mëziri), 29 vjeç, u plagos rëndë në një supërmarket në Tiranë në rrugën “Irfan Tomini” pas mesnate nga një person ende i panjohur për policinë.
Duka, një person me të kaluar kriminale sipas Policisë, ishte me shokun e tij O.D kur hynë në market të dehur dhe aty nisën një konflikt me një person të panjohur, që nuk ka duruar gjatë pas debatit “Kush je ti e kush e jam unë” dhe e ka qëlluar. Më pas është larguar me shpejtësi.
Duka i plagosur është dërguar me urgjencë tek Trauma po nuk ka arritur të mbijetojë. Cili është vrasësi, ende nuk dihet. Policia ka marrë në pyetje shokët e viktimës.
Në njoftimin e Policisë së Tiranës thuhet:
Me datë 14.12.2021, rreth orës 00:20, në rrugën “Irfan Tomini”, shtetasi J.D. (M)., është konfliktuar me një person ende të paidentifikuar.
Personi ende i paidentifikuar ka qëlluar me armë zjarri ku ka mbetur i plagosur shtetasi J. D. (M)., rreth 29 vjeç. Si pasojë e plagëve të marra, shtetasi J. D. (M)., ka ndërruar jetë në Spitalin Universitar të Traumës.
Shërbimet e Policisë kanë kaluar menjëherë në vendngjarje, dhe Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë ka sekuestruar prova materiale që shërbejnë për të identifikuar autorin e ngjarjes.
Janë marrë në pyetje shoku i shtetasit J. D. (M)., dhe persona të tjerë në vendngjarje. Vijon puna për identifikimin e kapjen e autorit.”



