Zëvendëskryeministrja dhe ministre e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska dhe ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov do të marrin pjesë në Konferencën e 54-t të Sigurisë në Mynih.
Në konferencë është paralajmëruar prezenca e sekretarit të mbrojtjes së SHBA-së Xhejms Matis, sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteres, sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, kryeministres britanike Tereza Mej, kryetarit të Komisionit Evropian Zhan Klod Junker, përfaqësueses së lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogerni dhe eurokomisarit për Politikë Fqinjësore dhe Zgjerim Johanes Han.
Sivjet në fokus të konferencës do të jenë debatet për rolin e BE-së si aktor global dhe marrëdhëniet e saj me NATO-n, SHBA-në dhe Rusinë, rreziku në rritje për rendin ndërkombëtar liberal në Lindjen e Afërt; kërcënimet nga terrorizmi, gjendja në Afrikë dhe ngjarjet politike në rajonin Sahel. Pjesëmarrësit do të debatojnë edhe për çështjet për mbrojtjen e mjedisit të jetesës dhe për sigurinë kibernetike. Theks i veçantë do të vendoset edhe në çështjet për kontroll të armëve dhe veçanërisht të tensioneve rreth programit për armët bërthamore të Koresë së Veriut.
Ministrat e Maqedonisë do të marrin pjesë në disa panele kushtuar sigurisë transatlantike, bashkëpunimin e NATO-s dhe BE-së dhe tema të tjera, ndërsa është paraparë të realizojnë edhe disa takime dypalëshe.
Konferenca e sigurisë në Mynih është etabluar si forum udhëheqës global ku shumë liderë politikë, shefa të shteteve dhe qeverive, ministra, personalitete udhëheqës nga organizatat ndërkombëtare, përfaqësues të lartë të industrisë, mediave, akademisë dhe shoqërisë civile, diskutojnë për sfidat aktuale dhe të ardhshme të sigurisë.

