Gerald Rockenschaub, shefi i Zyrës së OBSH në Shqipëri, ka mbajtur fjalën e tij në aktivitetin e organizuar për Ditën Botërore të Infermierëve. Rockenschaub tha se për OBSH ky është viti i gjithë punonjësve të sistemit shëndetësor që janë në vijën e parë ndaj pandemisë.
Sipas tij, është e domosdoshme që qeverisë shqiptare, veçanërisht Ramës dhe Manastirliut, t’i njihet merita për vendosjen e punonjësve të shëndetit në listën e prioriteteve.
Më tej, ai kërkoi që sot të nderohen infermierët që janë heronj në luftën kundër pandemisë.
“Përshëndetje z.Rama, znj.Manastirliu, z.Soreca dhe znj.Kim. I kënqur të jem këtu për të thënë dy fjalë për infermierët. Ky vit, OBSH ia dedikoi forcës punëtore të kujdesit shëndetësor, të jetë ky vit i atyre që janë në vijën e parë. Janë infermierët ata që bëjnë 50% të forcës punëtorë në sistemin shëndetësor në gjithë globin. Me rëndësi të njohim kontributin e tyre. Është e domosdoshme të njoh meritën e qeverisë, Ramës dhe Manastirliut, dhe vendosjen në prioritet të punonjësve të shëndetit, sidomos në vaksinim. Ju falënderoj z.kryeministër dhe znj.ministre që i vendosët në listën e prioriteteve. E domosdoshme që përpjekjet të vijojnë, për t’i siguruar punonjësve shëndetësorë masat. Falenderoj për rritjen e pagave për punonjësit e sistemit shëndetësor. Është shumë mirë që jemi duke nderuar heronjtë tanë, shumë mirë të bëjmë përpjekje të përbashkëta, për të ofruar mbulim universal”, tha ai.



