Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka risjellë në vëmendje ngjarjen e 9 gushtit 2025, të cilën ai e cilëson si “sulm shtetëror” ndaj News24.
Një vit pas ngjarjes, Gjekmarkaj shprehet se News24 vijon të jetë në këmbë dhe të ushtrojë aktivitetin e saj mediatik. Sipas tij, mbështetja ndaj televizionit nuk lidhet thjesht me një media të caktuar, por me të drejtën e gazetarëve për të ushtruar profesionin dhe me të drejtën e qytetarëve për t’u informuar.
Gjekmarkaj thekson se, në një kohë kur vendi po përballet me protesta, është më e rëndësishme se kurrë që mediat e lira dhe profesionale të vijojnë të raportojnë.
“Një vit nga 9 gushti 2025, dita kur u godit News24, mbetet ende e gjallë një pyetje themelore: çfarë ndodh me demokracinë kur pushteti përpiqet t’i mbyllë gojën medias? Ajo degradon, forca e shoqërisë dhe e individit relativizohet! Re të zeza mbulojnë horizontin!
Mbështetja për News24 nuk është thjesht mbështetje për një televizion apo një pronë! Është mbështetje për të drejtën e gazetarit për të raportuar, për të drejtën e qytetarit për t’u informuar dhe për lirinë e shtypit për të qenë përballë pushtetit, qeverisë, mazhorancës dhe Kryeministrit!
Mund të mbyllen dyer, të rrethohen godina dhe të ndërpritet një transmetim, por nuk mund të mbyllet fjala e lirë. Shqipëria nuk është e gatshme ta pranojë këtë!
Një vit më pas, News24 është ende në këmbë, ende në terren dhe ende duke bërë gazetari profesionale!
Në një demokraci, media e lirë nuk duhet perceptuar si armike e pushtetit. Ajo është mburojë e qytetarit dhe një nga kushtet themelore të lirisë. Në autokraci, po ajo është objekt sulmi, shantazhi dhe represioni!
Sot, kur e gjithë Shqipëria zien dhe proteston, më shumë se kurrë, duhet të jemi në krah të medias së lirë e profesioniste, në krah të News24 dhe të çdo gazetari që me kurajo civile e intelektuale zgjedh të mos heshtë”, shprehet Gjekmarkaj.



