Partia opozitare, Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar sërish në lidhje me mospërdorimin e gjuhës shqipe në institucionet e shtetit. Në një komunikatë për media, nga kjo parti kanë thënë se, për afër një vit, procesverbalet e mbledhjeve të Qeverisë nuk janë publikuar në gjuhën shqipe dhe se procesverbali i fundit i publikuar në shqip është i datës 19 shtator 2025. Ata thonë se që nga ajo kohë janë mbajtur 83 seanca të Qeverisë, ndërsa procesverbalet e tyre vazhdojnë të mungojnë në versionin shqip të faqes zyrtare.
BDI
“Bëhet fjalë për dokumentacion zyrtar të institucionit më të lartë të pushtetit ekzekutiv dhe për një periudhë prej 11 muajsh. Një numër kaq i madh dokumentesh të papublikuara kërkon sqarim të plotë për mënyrën se si po zbatohet Ligji për Përdorimin e Gjuhëve brenda vetë Qeverisë. Situata është edhe më serioze pasi çështja është ngritur publikisht edhe më herët, ndërsa sic thotë BDI, përfaqësuesit e Koalicionit VLEN, kanë deklaruar se procesverbalet janë në dispozicion edhe në gjuhën shqipe”.
Ndërkaq nga VLEN u janë përgjigjur me kundërakuza. Zëvendëssekretari i Qeverisë, Hasim Murtezani, përmes një postimi në Facebook, ka shpërndarë disa dokumente dhe vendime nga qeveria e kaluar, kur në pushtet ishte BDI, të cilat janë vetëm në gjuhën maqedone.
Hasim Murtezani
“Pasi BDI manipulon gjatë gjithë kohës me gjuhën shqipe, po i prezentojmë vetëm disa argumente sesa BDI-ja e zbatonte gjuhën shqipe kur ata ishin në Qeveri! Faktet po ju a sjellim në vite të ndryshme gjatë qeverisjes së tyre!”
Kohën e fundit janë rikthyer përplasjet mes partive politike për përdorimin e gjuhëve, si pasojë e heqjes së shqipes në disa tabela rrugore.
Zebushe Ramadani /SHENJA/
MARKETING


