Trotinetet elektrikë vazhdojnë të jenë shqetësim për sigurinë në komunikacion. Vetëm gjatë muajit gusht, në të gjithë vendin, janë konstatuar 606 shkelje nga drejtuesit e mjeteve të lehta elektrike, ndërsa 18 trotinetë elektrikë janë konfiskuar.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, një pjesë e konsiderueshme e shkeljeve lidhen me mosrespektimin e rregullave bazë të sigurisë. Nga gjithsej 606 shkeljet e evidentuara, 162 kanë të bëjnë me mosmbajtjen e jelekut reflektues gjatë drejtimit të mjetit të lehtë elektrik gjatë natës.
Në 134 raste, drejtuesit nuk kanë shfrytëzuar shtegun e dedikuar për biçikleta ose këmbësorë, ndërsa 59 shkelje janë konstatuar për mosmbajtjen e helmetës mbrojtëse. Në 45 raste, trotinetet janë përdorur për transportimin e dy personave, ndërsa 20 raste kanë të bëjnë me drejtimin e mjeteve të lehta elektrike nga persona të mitur.
Numri më i madh i shkeljeve është regjistruar në Manastir, me 236 raste. Pasojnë Shkupi me 97, Strumica me 82 dhe Ohri me 57 shkelje. Në Tetovë janë evidentuar 27 raste, në Veles 18, në Shtip 13, ndërsa në Kumanovë 7 raste. Njësia Mobile për Sigurinë në Trafik ka konstatuar edhe 69 shkelje të tjera.
Nga MPB-ja bëjnë të ditur se për të gjitha rastet janë ndërmarrë masat përkatëse dhe janë shqiptuar sanksione në përputhje me ligjin.
Ndërkohë, qytetarët kërkojnë masa më të rrepta dhe krijimin e infrastrukturës së veçantë për përdoruesit e trotineteve elektrikë.
“Është katastrofë. Rrezikojnë sigurinë në trafik, por rrezikojnë edhe veten. Duhet të dënohen. Nëse ka rregullore ligjore, duhet të dënohen që të vendoset rregull”, tha një qytetar.
Një tjetër qytetar kërkon jo vetëm gjoba më të larta, por edhe hapësira të dedikuara për lëvizjen e këtyre mjeteve.
“Vetëm gjoba më të larta, pasi nuk kanë as helmeta, asgjë. Duhet shteti të bëjë rrugë të veçanta ku të lëvizin. Jo vetëm dënime, por duhet diçka të bëhet”, tha ai.
Edhe përdorimi i trotineteve nga të miturit shihet si një problem që kërkon rregulla më të qarta.
“Mendoj se duhet të kemi rregulla edhe më të rrepta për të gjithë ata që lëvizin pa kontrolle dhe me shpejtësi të lartë, e sidomos për ata që janë të mitur”, u shpreh një qytetare.
Problem shtesë mbeten edhe trotinetet elektrikë që jepen me qira në Shkup. Nga Qyteti i Shkupit thonë se ende po shqyrtohet nëse kompanitë që ofrojnë këtë shërbim do të duhet t’u përshtaten rregullave të reja dhe të sigurojnë pajisje mbrojtëse për përdoruesit, përfshirë helmetat dhe jelekët reflektues.



