Sekretari i Marinës amerikane, John Phelan, është larguar nga administrata e Donald Trump, njoftoi Pentagoni.
Sipas zëdhënësit të Pentagonit, Sean Parnell, largimi i tij hyn në fuqi “menjëherë”, siç u bë e ditur përmes një postimi në rrjetet sociale.
Në vend të tij, detyrën e përkohshme do ta marrë zëvendëssekretari i Marinës, Hung Cao.
Phelan është zyrtari më i fundit i lartë ushtarak që largohet nga administrata në muajt e fundit. Dorëheqja e tij vjen në një moment tensioni të lartë ndërkombëtar, në mes të përshkallëzimit të konfliktit mes SHBA-së dhe Izraelit me Iranin, si dhe vazhdimit të bllokadës amerikane në Ngushticën e Hormuzit.
“Në emër të Sekretarit të Luftës dhe Zëvendëssekretarit të Luftës, jemi mirënjohës për shërbimin e Sekretarit Phelan ndaj Departamentit dhe Marinës së Shteteve të Bashkuara. I urojmë suksese në angazhimet e tij të ardhshme,” deklaroi Parnell.
Marina amerikane nuk dha një arsye zyrtare për largimin e tij.
Ky zhvillim vjen vetëm pak javë pasi Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, i kërkoi Shefit të Shtabit të Ushtrisë, Randy George, të largohej nga posti.
Gjithashtu, dy zyrtarë të tjerë të ushtrisë, gjenerali David Hodne dhe gjeneralmajori William Green, janë shkarkuar nga detyra së fundmi.


